Moda e re e pallateve në periferi, nga çmimet dhe parkimet

Çmimet më të ulëta se qendra dhe mundësia për parkim rrisin kërkesën për apartamente te ndërtesat 2-4 kateshe në periferi. Përveç vilave luksoze, projektet rezidenciale në zonat periferike si Farka, Lundra, Mjull Bathore dhe Petrela ofrojnë edhe apartamente banimi në ndërtesa të ulëta me dy deri në katër kate. Çmimet për apartamentet në këto rezidenca nisin nga 1,600 deri në 1,800 euro për metër katror, shumë më të ulëta se në zonat qendrore si Liqeni Artificial apo ish-Blloku, ku çmimet kapin shifrën mbi 2,500 euro për metër katror.

Stela Dhami, nga “Colliers International Albania”,pohon se kjo diferencë çmimesh i bën zonat periferike më të aksesueshme për familjet me të ardhura mesatare, të cilat gjithnjë e më shumë po orientohen drejt këtij segmenti të tregut, pavarësisht mungesës së shërbimeve publike apo largësisë së tyre nga zonat urbane. Një faktor shtesë që kontribuon në rritjen e kërkesës është çmimi i lartë i vendeve të parkimit brenda qytetit.

Lajme të tjera |  Modeli i Shqipërisë edhe në vende të tjera? DW: Merz i sheh të mundshme procedurat e azilit në shtetet jashtë BE-së

Çmimet e shitjes për një vend parkimi variojnë nga 30 mijë deri në 70 mijë euro, duke ndikuar në mënyrë të konsiderueshme në blerjen përfundimtare të këtyre pronave. Ndërkohë, për blerësit në segmentin e strehimit, këto zona vijojnë të përparojnë edhe në urbanistikë, sipas saj, ku edhe prania e shkollave publike në komunat rreth Tiranës dhe e shkollave private ndërkombëtare është përmirësuar dukshëm.

“Kjo situatë është veçanërisht e rëndësishme për individët nga shtresa e mesme, të cilët kërkojnë hapësira më të mëdha, qetësi dhe lehtësi në parkim, duke përfituar gjithashtu nga çmimet më të përballueshme në këto zona, pasi afër mjediseve të gjelbra, si ajo rreth Liqenit Artificial, nuk gjen apartamente me çmime shitjeje nën 2,500 euro për metër katror. Edhe çmimet e larta të shitjes së parkimeve përbëjnë një faktor të rëndësishëm që familjet e shtresës së mesme parapëlqejnë të investojnë për strehimin në këto zona rezidenciale. Çështja e parkimit është një stres në Tiranë, por edhe çmimet nga 30 mijë deri në 70 mijë të shitjes mbeten të papërballueshme për familjet më të ardhura mesatare”.

Për Ermira Brozin, drejtoreshë e shitjeve dhe marketingut të “Concord Investment”, leverdishmëria është faktori dominues që po i shtyn blerësit drejt periferisë, veçanërisht ata së shtresës së mesme, t’i orientojnë investimet e tyre drejt apartamenteve.

Lajme të tjera |  A reflekton vota e diasporës mendimin e emigrantëve?

“Ndërkohë që shumë individë kërkojnë komoditet, qetësi dhe gjelbërim, ata shpesh nuk kanë mundësi financiare për të blerë një vilë në periferi. Për këtë arsye, zgjedhja më e leverdishme për ta është blerja e apartamenteve me sipërfaqe që nisin nga 80 metra katrorë. Në disa raste, apartamentet në godina të ulëta preferohen nga familjarë të ndryshëm që kanë lidhje apo njohje me njëri-tjetrin, duke krijuar një ndjesi komuniteti më të ngushtë dhe një ambient jetese më të ngjashëm me atë të një vile, por brenda mundësive ekonomike të tyre”, thotë ajo./MONITOR

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us