Nëntë persona janë arrestuar ditët e fundit në lidhje me rrëmbimin në fund të nëntorit të një 27-vjeçari, banor të Hagës, njoftoi të enjten Prokuroria Publike Belge. Arrestimet u kryen në Amsterdam, Diemen dhe Roterdam.
Lakshan N. u rrëmbye më 26 nëntor dhe u mbajt peng për një javë e gjysmë. 27-vjeçari nga Haga arriti të arratisej dhe denoncoi ngjarjen në policinë e Belgjikës më 6 dhjetor.
Policia nuk tha se pse ai ishte rrëmbyer. Por mësohet se 27-vjeçari u rrëmbye dhe u mbajt peng për shkak të një konflikti mbi një dërgesë të vjedhur kokaine nga porti i Antwerp-it më 25 tetor.
Hetimi për rastin çoi në arrestimin e një 37-vjeçari dhe një 45-vjeçari nga Amsterdami. Të hënën u arrestuan edhe tre të tjerë: një 37-vjeçar nga Amsterdami, një 51-vjeçar nga Roterdami dhe një 26-vjeçar nga Shqipëria pa vendbanim të përhershëm në Holandë.
Këta pesë të dyshuar u sollën të mërkurën para magjistratit hetues, i cili ua zgjati masën e paraburgimit për 14 ditë.
Arrestimet e fundit e çojnë numrin e përgjithshëm të arrestuarve në nëntë. Të gjithë të dyshuarit janë aktualisht nën masa sigurie, duke lejuar kontaktin vetëm me avokatët e tyre.