Mori mbi 5200 vota, por nuk fitoi mandatin, Maliqi: Edhe në PD më xhelozuan. Përveç Berishës, shumica e drejtuesve politikë në qarqe nuk punuan

Lefter Maliqi, kandidat për deputet nga Aleanca për Shqipërinë Madhështore, mori mbi 5,200 vota, por nuk arriti të sigurojë mandatin në zgjedhjet e 11 majit. Maliqi denoncoi sistemin zgjedhor si të padrejtë dhe të korruptuar, duke kritikuar veçanërisht mungesën e përkushtimit nga drejtuesit politikë të PD-së, përveç Berishës.

Ai theksoi se xhelozia dhe mungesa e bashkëpunimit mes tyre e dëmtuan, ndërsa e cilëson masakrën elektorale si një fakt të pakundërshtueshëm. Maliqi u shpreh i gatshëm të vazhdojë punën për mbështetësit e tij, pavarësisht mungesës së mandatit, dhe bëri thirrje për unitet brenda opozitës në përballje me sfidat politike.

“Për shkak të kodit zgjedhor të padrejtë, duhet të punoja fort. Ky sistem për mua është i korruptuar, lista e mbyllur është fatkeqësi kombëtare dhe për demokracinë në Shqipëri. I përmbahem masakrës zgjedhore që ka ndodhur, unë jam krenar për ata vota që kam marrë. Gara zgjedhore ishte e pabarabartë. Dihej që Lefter Maliqi dilte i treti, por disa drejtues të PD-së, duke nisur nga drejtuesi politik, gjë që ia kam thënë edhe liderit Berisha, nuk punuan siç duhet, orientuan votat. Kishin xhelozi të paparë për të më goditur. Unë ia kisha thënë opozitës së bashkuar dhe liderit Berisha që nuk më interesonte mandati i deputetit. Ka detyra të tjera që mund t’ju shërbej mbështetësve të mi. U fokusuan të gjithë në Kuçovë dhe në Otllak, ata donin të më dëmtonin mua. U bë mitingu i PD në Berat, i dështuar. I kërkova miting liderit Berisha në Kuçovë dhe bëra miting madhështor në qytetin e Kuçovës. Ishte një protokoll që kandidatët e listës së hapur nuk duhet të flasin, si mos flasë kandidati i listës së hapur, kur mua do më votojë populli. Berisha ishte i palodhur nga mëngjesi në darkë, ata poshtë tij nuk e ndiqnin dot, për të mos thënë që ia patën me hile. Përveç Berishës, pjesa dërrmuese e drejtuesve politikë nuk kanë punuar. Nuk kanë punuar se e kishin të sigurt. Po të ishte Ilir Meta jashtë, Partia e Lirisë do kishte shumë më tepër vota. Në PD, mos të ketë betejë me njëri-tjetrin, por me kundërshtarin. Z Noka më thoshte ta mbroj unë votën, si do e ruash votën, nuk di nga kush të ruhem nga demokratët a nga socialistët. 5222 vota janë shumë për mua dhe për Partinë e Lirisë, ku nuk kemi pasur numërues e vëzhgues jam i bindur se kam manipulim. Berisha reagoi dhe më lanë disa numërues, se do isha pa numërues fare. Duhet bashkëpunimi e jo fryma e përçarjes.”, Lefter Maliqi, kandidat për deputet nga Aleanca për Shqipërinë Madhështore.

Lajme të tjera |  Këlliçi: Duam të marrim mandatin e Alimehmetit. Ja rrugët që do të ndiqen

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us