Vazhdon përhapja e murtajës së bagëtive. Ministria e Bujqësisë njofton se prej datës 4 qershor e deri më tani janë prekur 8 ferma në 6 bashki të vendit. Aktualisht, veterinerët janë në terren, duke kontrolluar fermat, tregjet dhe rrugët për të parandaluar lëvizjen e pakontrolluar të kafshëve.
“Fermerë, nëse vini re shenja të dyshimta tek kafshët, njoftoni menjëherë veterinerin e zonës tuaj!,“-bën thirrje Ministria.
Njoftimi i plotë
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural së bashku me institucionet e varësisë po zbaton masa të rrepta për të parandaluar përhapjen e Murtajës së Ruminantëve të Vegjël (PPR) në të gjithë vendin. Që prej datës 4 qershor 2025 Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë (AKVMB), kanë monitoruar gjithsej 1,673 ferma me 270,925 krerë të imta (dele dhe dhi).
Deri më tani, kanë rezultuar 8 ferma pozitive, në 6 vatra të ndryshme. Veterinerët zyrtarë janë në terren, duke kontrolluar fermat, tregjet dhe rrugët për të parandaluar lëvizjen e pakontrolluar të kafshëve.
Fermerë, nëse vini re shenja të dyshimta tek kafshët, njoftoni menjëherë veterinerin e zonës tuaj!
Së bashku mbrojmë: Shëndetin e kafshëve; Ekonominë blegtorale; Sigurinë ushqimore!
Sipas udhëzimit të ministrit, kafshët që rezultojnë të prekura nga murtaja ato duhet të asgjësohen menjëherë dhe mishi i tyre nuk duhet të konsumohet për të parandaluar përhapjen e murtajës tek tufat e reja.