Egnatia – Skënderbeu është një nga duelet e ditës së nesërme që do të luhet në “Egnatia Arena”. Sfidë kjo që do të startojë në orën 15:30 dhe është e vlefshmë për javën e 35-të të kampionatit.
Në prag të kësaj sfide ka folur zëvendëstrajneri i rrogozhinasve. Julian Brahja ka theksuar se janë stërvitur mirë dhe lojtarët janë të gatshëm për të sfiduar korçarët.
Ndër të tjera ka nënvizuar se kampionëve aktualë u duhen patjetër 3 pikët për të blinduar pozicionin e tyre në klasifikim.
“Pothuajse e gjitha java ka shkuar mirë, çunat janë të gatshëm për këtë sfidë përveç mungesave që tani dihen që janë kryesore, javë intensive, çunat janë të gatshëm për të bërë detyrat e veta. Skënderbeu është një ekip i mirë, e njohim mirë si ekip, po bën mirë në këtë fund sezoni, nuk ka as mbivlerësim dhe as nënvlerësim nga ana jonë, për ne është ndeshja e radhës, dhe na duhet patjetër 3 pikëshi.
Nuk është se do kemi shumë ndryshime në modulin e lojës. Nuk mund të them presion, se unë po bëj dy vite këtu dhe skemi pasur asnjëherë presion, por mund të themi është përgjegjësi e çunave për të arritur 3 pikëshin. Jemi brenda objektivat, si për titullin dhe Kupën, pavarësisht se kemi humbur ndeshjen e parë, duam ta mbyllim si vitin e kaluar.
Asgjë nuk është e mbyllur dhe e hapur, kemi një eksperiencë me Skënderbeun që kanë fituar në Rrogozhinë por edhe ne kemi fituar në Korçë. Nuk ka presion, jemi në vendin e parë, ne bëjmë punën tonë, pavarësisht kemi dy humbje edhe pse ndoshta jo për fajin tonë, por futbolli ka dhe fatin ndonjëherë brenda”, ka deklaruar krahu i djathtë i Edlir Tetovës.