I pyetur për videon e kapur në mënyrë sekrete nga mediat serbe gjatë stërvitjes së Kombëtares shqiptare, tekniku Sylvinho u shpreh i qetë dhe se nuk ka asgjë për të fshehur.
“Nuk kemi asgjë për të fshehur. Ata kanë parë ndeshjet tona të fundit. Dhe ne i kemi analizuar ndeshjet e tyre. Nuk mendoj se kanë kapur ndonjë element. Ata na njohin. Dhe ne i njohim. Të dyja kampet kanë lojtarë mjaft të njohur në arenën e futbollit botëror.
Është një ndeshje ndryshe. Por shpresoj të dhurojmë një ndeshje të bukur. Të dyja skuadrat kanë lojtarë të mirë. Uroj ta shijojmë. 22 mijë tifozët që do të jenë në stadium gjithashtu. Janë me fat ata që do jenë në stadium. Janë një lojtar shtesë për ekipin tonë. Unë doja të sillja dhe babain tim nga Brazili që të shijonte këtë ndeshje, por ishte një udhëtim shumë i gjatë. Shpresoj që të gjithë nesër ta shijojnë këtë duel”, tha Sylvinho.