Detaje të reja kanë dalë në dritë nga aksidenti i ndodhur mbrëmjen e djeshme në Tiranë, ku u përplas makina që udhëtonte djali i gjyqtares së posaçme Irena Gjoka, nga një mjet që drejtohej nga një efektiv policie.
Burime bëjnë me dije për Zërin se efektivi që u përfshi në aksident, shërbente pranë policisë rrugore, ndërsa në momentin e aksidentit drejtonte një mjet me targa zviceriane. Fillimisht policia nuk raportoi se në makinën e përplasur udhëtonin familjarë të Gjokës, dhe vetëm përmes dëshmisë së gardistëve, u mësua dhe itenerari i përshkruar nga mjetet.
Në dëshminë e gardistëve thuhet se mjeti që drejtohej nga polici i rrugore, ka përshkruar të njëjtën rrugë me ta nga Rinasi në zonën e Selitës dhe ku ndodhi aksidenti. Edhe pse ata i kanë kërkuar që të ndalte manovrat, polici nuk është bindur.
“Udhëtoi mbas nesh që në Rinas e deri në Selitë, i kemi bërë thirrje që të ndalte manovrat”, ka qenë dëshmia e gardistëve, ndërkohë që pritet të kontrollohen të gjitha kamerat e sigurisë në rrugën që është përshkruar nga mjetet, për të kuptuar më shumë mbi dinamikën e aksidentit.
Në Rinas, Garda e Republikës, thuhet nga Policia Kufitare se priti djalin e gjyqtares Irena Gjoka, e cila prej ditësh është nën ruajtje dhe mbrojtje. Mësohet se për hetimin e këtij aksidenti janë angazhuar dhe agjentë të SHISH, ndërkohë që nga vetë Irena Gjoka deri në momentet që flasim nuk ka pasur një reagim.