Klubi i Napolit është gati të bëjë gjithçka që të sigurojë shërbimet e Ardian Ismajlit, pasi trajneri Antonio Konte e vlerëson atë si një lojtar që mund të përmirësojë prapavijën e skuadrës së tij dhe shtojë alternativat cilësore në manovrën e ekipit që lufton për titull në Serinë A. Por për të parë Ismajlin me fanellën e Napolit, duket se do të duhet të pritet pak kohë.
Napoli nuk kërkon të bëjë shpenzime të kota pa ditur se ku do të luajë në sezonin e ardhshëm. Dhe me një garë plotësisht të hapur si për titullin, ashtu edhe për zonën e Ligës së Kampioneve pasi ka shumë pretendente për këto pozita, duan të presin verën para se të bëjnë investime të rëndësishme.
Kësisoj mediat italiane theksojnë se Napoli ka gjithçka gati për Ismajlin, por ka vendosur se nuk do të shpenzojë për ta blerë atë në janar. Konte ka dhënë “OK” për mbrojtësin, që të bashkohet në verë me skuadrën e tij, duke ia bërë punën më të thjeshtë klubit që të realizojë këtë transferim. Kjo, pasi Ismajli është në vitin e fundit të kontratës së tij me Empolin dhe mund të largohet pas qershorit si futbollisti i lirë nga ky klub.