AEK dhe Panathinaikos u përballen mbrëmjen e djeshme për të luajtur sfidën e vlefshme për Superligën greke. Derbi i kryeqytetit ishte mjaft i luftuar dhe përfundoi 1-2 në favor të Panathinaikos.
Një duel që shkoi mjaft mirë edhe për arbitrin kryesor të kësaj sfide, Enea Jorgjin. Gjyqtari shqiptar ishte emëruar si kryesor i këtij dueli, ndërsa ndihmësit e tij ishin Ridiger Çokaj dhe Denis Rexha.
Jorgji ishte mjaft i saktë dhe nuk pati polemika për vendimet e tij, përveç se një penalltie të cilën e akordoi në favor të Panathinaikos, ku nuk munguan protestat nga ana e lojtarëve të AEK. Arbitri 40-vjeçari e nxorri kartonin e verdhë 8 herë nga xhepi, 5 herë për AEK dhe 3 herë ndëshkoi lojtarët e Panathinaikos.
Gjithashtu, Jorgji akordoi në total edhe 33 faulla, një numër i madh ky, por jo për shkak të tij. Ndeshja ishte mjaft agresive, duke detyruar që Jorgji ta ndalte lojën shumë herë për ndërhyrje të gabuara.
Një provë e kaluar me sukses kjo për gjyqtarin nga Elbasani, që vazhdon të bëjë shumë mirë në arenën ndërkombëtare.