Vendimi i ri i Bankës Qendrore të Kosovës se monedha euro do të jetë e vetmja që do të lejohet për kryerjen e pagesave me para të gatshme në Kosovë po diskutohet ende. Vendimi ka nxitur shqetësimin e udhëheqësve të Serbisë të cilët thanë se qëllimi i kësaj rregulloreje është ndalimi i përdorimit të dinarit serb në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.
Pavarësisht shqetësimeve nga Serbia, si dhe SHBA dhe BE, Kosova vijon të jetë e palëkundur në vendimin e saj. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se vendimet e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) janë të pavarura, dhe i tillë është edhe ai për ndalimin e qarkullimit të dinarit serb në Kosovë. Kurti tha se rregulloret dhe vendimet e BQK-së janë plotësisht në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Albin Kurti: Vendimet BQK-së janë të pavarura dhe BQK-ja është institucion i pavarur. Rregulloret që ata i miratojnë janë krejtësisht në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Unë besoj se duhet ta lëmë të qetë BQK-në dhe Guvernatorin Ahmet Ismailin që ta bëjë punën e tij, ashtu siç e ka fituar besimin në Kuvendin e Republikës tonë. Ai po bën punë shumë të mirë dhe ka shpjeguar qartë e saktë se në Kosovë e vetmja valutë e shkëmbimit dhe shit-blerjes është euroja. Ne nuk dëshirojmë që të ndëshkojmë askënd, por vetëm të sjellim ligjshmëri, kushtetutshmëri dhe rregullsi edhe në veriun e Kosovës dhe gjithandej ku ka serbë në Kosovë. Pra, në katër komunat në veri të Kosovës janë katër degë të bankave dhe janë 15 institucione financiare jobankare, ku do të mund të dërgohen dërgesat e pagesat dhe ku do të mund të merren të gjitha ato në euro. Euroja është valutë që na vjen nga Bashkimi Evropian. Ne nuk jemi duke i thënë askujt merre valutën lekë të Shqipërisë apo një valutë të re Dardan të Kosovës, por euron, euro si mjeti i vetëm i pagesës edhe i shitblerjes i përcaktuar në mënyrë të qartë në Republikën e Koosvës nuk është një çështje e negociueshme.
Nga ana tjetër Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi së fundmi se po diskutohen një sërë opsionesh në lidhje me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës që nga nesër ndalon përdorimin e dinarit serb në vend. Osmani tha se do të ketë një dakordim këto dy ditë dhe do të ketë edhe deklarata publike
Vjosa Osmani: Unë jam për atë që zbatimi të jetë i plotë, e jo vetëm në letër. Dhe të gjithë e dinë se për të pasur zbatim të plotë na duhet edhe përkrahja e aleatëve tanë, në mënyrë që të kemi qëndrueshmëri. Pra, mund të bëhen edhe njëra, edhe tjetra. Jam i bindur që njëra nuk e përjashton tjetrën. Mund të ruhen edhe Kushtetuta, edhe aleatët tanë. Tani, sa i përket kësaj çështje, neni 11 i Kushtetutës kërkon që Kosova në qarkullim dhe në përdorim ta ketë vetëm një valutë. Është për keqardhje që kjo nuk është zbatuar deri tash. BQK e ka kryer punën e vet… Sa i përket zbatimit në praktikë, janë duke u diskutuar një sërë opsionesh, të cilat në njërën anë do ta respektonin nenin 11 të Kushtetutës, por në anën tjetër do të lënë një kohë për informimin e qytetarëve dhe bartjen e tyre, të themi, në llogari të reja, e të tjera, në mënyrë që të mund të zbatohet pa asnjë problem dhe me përkrahjen e plotë të shteteve aleate, sepse siç e dini për secilën çështje që ka të bëjë me veriun e Kosovës, me shtrirjen e sovranitetit dhe me sigurinë e shtetit tonë, ne sa herë i kemi aleatët tanë në krah, atëherë tejkalohen këto sfida dhe realizohet mbrojtja e Kushtetutës sonë në tërësi. Një shembull i tillë është çështja e targave. Dhe siç po e shihni sot, gati të gjithë qytetarët që jetojnë në veri kanë transferuar targat e tyre në targa të Republikës së Kosovës.