Kreu i qeverisë, Edi Rama ditën e sotme ka zhvilluar një takim me banorët në Gjirokastër.
Kryeministri u ndal te zhvillimet ekonomike dhe turistike të zonës, duke theksuar rritjen e ndjeshme të numrit të turistëve dhe përmirësimet në infrastrukturë.
Gjatë fjalës së tij, Rama kritikoi skeptikët, duke theksuar se ndryshimet janë të dukshme për banorët e zonës.
Rama: Unë besoj që njerëzit votojnë në shumicë, sepse kur ne themi gjëra me të cilat të tjerët qeshin, edhe pse shumë nga gjërat që bëhen nuk dalin nëpër këto pasqyrat e kënetave, arrijnë drejtpërdrejt te njerëzit. Kur ne themi që Gjirokastra, kur ne morëm detyrën kishte 6 mijë turistë në vit, ndërkohë që vjet kishte 600 mijë, këtë berberhanat e përqeshin, ndërkohë që gjirokastritët e dinë, e shohin përdit. Këtij qyteti i ishte vënë shqelmi në fyt dhe dukej sikur po jepte shpirt, sot rritet dhe shkëlqen hap pas hapi. Thonë “s’ka ujë, s‘ka drita, s’ka bukë”. “Nuk ka rrugë nëpër fshatra”, “nuk ka ujë të pijshëm”. Njerëzit që jetojnë në fshat e dinë që rruga është përmirësuar. Kur vijmë tek ekonomia…ekonomia nuk është diçka që mund ta mbulosh me lule propogandistike. Nëse njerëzit nuk e ndiejnë në shtëpinë e tyre që ekonomia po fillon të japë fryte ata nuk thonë “vendi po shkon në drejtimin e duhur”.
Kreu i qeverisë tha se vendi ka kaluar një transformim të thellë në dekadën e fundit. Nëse para 10 vitesh Shqipëria shihej si një vend “qesharak” nga ndërkombëtarët, sot gëzon respekt dhe një rol dinjitoz në arenën ndërkombëtare.
Rama: Deri para 10 vitesh ne ishim një vend…më besoni, ishte shumë e rëndë për mua kur takoja udhëheqësit e Evropës, sepse e ndieja që kishte brenda tyre një ndjesi..në rastin më të mirë ishte keqardhje, në rastin më të keq përçmim. Ishim një vend qesharak, pa asnjë lloj pozicioni, nuk gëzonte asnjë lloj respekti. Ishte tamam sikur takon dikë që ti e shikon se po të dëgjon, por po të shikon në një mënyrë që të thotë “mbaro tani se do iki”. Shqipëria kurrë në historinë e vet nuk ka qenë në pozicionin që është sot ndërkombëtarisht. Kjo ka ndodhur sepse procesi i shtetbërjes po shkon drejt përmbylljes së vet. Në momentin që BE të fut brenda, ti je bërë shtet.