Në burg apo liri me kusht? Fati i Veliajt vendoset nesër

Nesër, më 8 korrik, kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj do të dalë sërish në gjyq. Kësaj herë do të përballet me trupën gjykuese të Gjykatës së Lartë, duke prezantuar edhe njëherë mbrojtjen e tij në këmbim të lirisë. Për fatin e Veliajt do të vendosë trupa gjykuese e përbërë nga Medi Bici dhe Sokol Binaj, ndërsa relatore e çështjes është caktuar Albana Boksi.

Të gjithë bashkë do të duhet të “peshojnë” në peshoren e drejtësisë se cilat argumenta janë në përputhje me ligjin, ato të Veliajt, apo ato të përfaqësuesëve të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Këta të fundit, sërish do të kërkojnë mbajtjen në qeli të kryebashkiakut, të paktën deri në përfundimin e hetimeve, ndërsa Veliaj do të kërkojë sërish lirimin e tij me kusht, qoftë edhe në ‘arrest shtëpie’.

Kërkesa të ngjashme kanë bërë deri më tani të gjithë të arrestuarit me urdhër të SPAK, por vetëm rasti i Malltezit, ka fituar lirinë. I pari ishte Berisha që u la për shkak të moshës në “arrest shtëpie”, ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi u vendos në qeli. Por brenda pak kohësh fitoi lirinë dhe u la gjithashtu në arrest shtëpie, derisa sot u caktua që mund të dalë nga banesa në këmbim të garancisë pasurore. Megjithatë edhe rasti i tyre është ndryshe, pasi për dosjen “Partizani”, SPAK i ka mbyllur hetimet dhe çështja është pranuar për gjykim në Gjykatën e Posaçme. Ndërsa si Veliaj, edhe presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta janë ende duke u hetuar. Por ndryshe nga të hetuarit e tjerë, Veliaj mund të humbasë shumë, mund të humbasë detyrën e tij në krye të Bashkisë së Tiranës.

Lajme të tjera |  Flet 82 vjeçarja që u shty nga bodyguardët e Ramës: Unë doja të takoja Kryeminstrin, bërtita "Rama të dua"!

Disa ditë më parë, në një mbledhje me deputetët dhe drejtuesit e institucioneve të Bashkisë Tiranë, kryeministri Edi Rama preku edhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme në bashkinë Tiranë.

“Nuk i dihet si do të shkojë kjo punë,”- citohet të ketë thënë Rama. Ndaj edhe kjo pikëpyetje e ngritur nga Rama për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë Tiranë, duket se pret një “përgjigje” nga vendimi që do të marrë nesër Gjykata e Lartë.

Erion Veliaj u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash ‘OJF’. Kallëzimi për Veliajn u dorëzua nga një profil i rremë, nën identikitin Nesti Angoni, një person që nuk ekziston në Republikën e Shqipërisë. Që nga zbulimi i këtij fakti ka pasur shumë aludime se cili është personi që fshihet pas kësaj nofke, por deri më tani nuk është zbuluar.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us