Andrea Kalemi i njohur edhe si Adriatik Kalemi ka mbetur i plagosur pas një sherri në burgun famëkeq të Koridhalos në Greqi.
Mësohet se Kalemi është plagosur gjatë një përleshjeje mes disa të burgosurve, ndërsa mbetet e paqartë nëse ai ka qenë objektivi i sulmit.
Sipas autoriteteve greke, ai është qëlluar me thikë nga një tjetër i burgosur shqiptar.
Kujtojmë se Andrea Kalemit iu bë atentat me armë zjarri në gusht të këtij viti në ishullin Paxos të Greqisë ku u qëllua me 10 plumba por arriti të mbijetonte.
Kalemi njihet edhe si kushëriri i Aleksandër Sadikajt, i vrarë në një shpërthim me lëndë eksplozive në makinë në vitin 2022.
Kalemi është i shpallur në kërkim nga drejtësia belge pasi së bashku me vëllain e tij Fatmir Kalemi kishte vrarë vëllezërit shqiptarë Mevlan e Adriatik Çaça, ngjarje e ndodhur në Anderleht të Belgjikës, më 13 prill 2001.
Në vitin 2017 ai është arrestuar në Tiranë sëbashku me 2 persona të tjerë pasi duke qenë edhe nën efektin e alkoolit, në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kundërshtuar punonjësin e policisë në detyrë, duke prishur rendin dhe qetësinë publike, ndërsa një person i katërt që ishte me ata goditi me shufër hekuri në kokë, punonjësin e policisë.