Policia italiane është vënë në kërkim të thikës me të cilën u vra 39-vjeçari Bledar Dedja në Itali. Në lidhje me këtë ngjarje është arrestuar një 17-vjeçar, i cili ka rrëfyer se e ka kryer ai vrasjen. Pasi i mori jetën Dedjes, i riu italian e ka hedhur thikën në një zonë pyjore në Paderno del Grappa. Për këtë arsye të premten, karabinierët e Treviso-s, bënë kontrolle mes shkurreve në një kodër në vendlindjen e autorit të kësaj ngjarje. Pavarësisht kontrolleve të shumta, arma e krimit nuk arriti të gjendej.
Dedja u godit disa herë me thikë, por fatale ishte njëra që i preku mushkërinë duke i shkaktuar hemorragji. 17-vjeçari ka zhvilluar intervista të gjata me hetuesit dhe ka vendosur të tregojë se ku e ka hedhur thikën me të cilën vrau Bledarin.
Ky i fundit u gjet në një pellg me gjak, me pantallonat e hequra deri në gju. Gjatë momentit të krimit 17-vjeçari ka dëmtuar edhe veten pasi është prerë me thikë. Ai ka shkuar në urgjencë pas vrasjes. Kjo dhe dëshmia e një personi që e dërgoi në spital i kanë shërbyer autoriteteve për ta zbuluar se vrasësi ishte adoleshenti.
Hetuesit janë duke kryer verifikime të mëtejshme për të kuptuar motivin e vërtetë pas vrasjes. Të gjitha faktet të çojnë tek “një çështje personale” mes të dyve, me mediat italiane që shkruajnë se ndoshta kjo lidhet me ndonjë lloj shantazhi të kryer nga shqiptari. Dedja dhe 17-vjeçari ishin njohur rreth një vit më parë. Siç shkruan Treviso Today, ndoshta adoleshenti ka dashur të ndalojë “lojërat” mes të rriturve dhe t’i kërkonte Dedjes t’i jepte fund asaj historie, por mund të jetë refuzuar dhe shqiptari ka shantazhuar djalin duke i thënë se do i tregonte familjes gjithçka. Megjithatë çdo gjë pritet t’i verifikojë hetimi i autoriteteve italiane