-Arkivat ruse, zbardhet plani për pushtimin e Shqipërisë nga sovjetikët, në gusht 1962-
Sa shumë gjëra mbeten të panjohura! Sa shumë gjëra koha i varros me sukses për dekada me radhë! Sovjetikët, tërheqin në qershor 1961, nëndetëset dhe anijet nga baza ushtarake e Vlorës, por nuk e mbledhin dot më mendjen. E shohin veten të humbur, ndihen të acaruar, të pavlerësuar dhe përfundimisht hedhin në letër planin e pushtimit të Shqipërisë. Një plan ushtarak pushtimi, me sulm nga deti dhe toka. Një pushtim që duhet të realizohej medoemos, para datës 1 shtator 1962. Një plan që refuzohet vetëm nga Rumania, por edhe nga Josip Broz Tito, në momentet e kurorëzimit. Por për fat, edhe një plan i mbetur në letër, për shkak të krizës së raketave në Kubë, një impenjim që duket kishte sfumuar planin për pushtimin e shtetit të pabindur shqiptar. Këto “xhevahire”, ruhen në arkivat sekrete të ushtrisë së ish-Bashkimit Sovjetik.
Mbase krejt të panjohura nga shqiptarët, por jo nga liderët e tyre të kohës, Enver Hoxha me shokë, që shpejtuan të përqafonin kinezët duke u kërkuar, para së gjithash asistencë e ndihmë ushtarake, por edhe duke nisur të gërmonin llogoret e para e më tej edhe vend-strehimet nëntokësore. Kështu që për herë të parë mbase, paranoja e Enver Hoxhës, frika e tij se do sulmohej ushtarakisht, fillimisht nga sovjetikët, të paktën në këtë rast ka një justifikim…! Materialet për këtë shkrim, janë marrë nga një punim i Doktorit të Shkencave të Historisë, Aleksandër Okorokov, me titull “Zig-zaget e politikës shqiptare”, publikuar më 16 shkurt 2009.
Enver Hoxha zgjedh sovjetikët
“…Në korrik të vitit 1947, në Moskë u realizua takimi i parë i Sekretarit të Përgjithshëm të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë, Enver Hoxha me liderin sovjetik, Josif Stalin. Mysafiri habitet nga gjithçka; edhe nga thjeshtësia e kabinetit, edhe nga butësia e sjelljes së të zotit, edhe nga gjykimet e tij të prera. Me sa u duk edhe lideri shqiptar, i bëri përshtypje të mirë Stalinit. Bisedat me Stalinin dhe Molotovin, u materializuan në një marrëveshje, për t’i dhënë ndihmë të konsiderueshme dhe kredi Shqipërisë, në pajisje industriale e trajnim të specialistëve. Shqipërisë iu dha një kredi preferenciale, rreth 6 milionë dollarë amerikanë – një shumë të madhe për ato kohë. Gjatë këtij takimi u vendos dhe për dhënien e armatimeve, por pa pagesë.
Më 11 gusht 1947, pa ndonjë lidhje të njohur me momentin, Enver Hoxha u nderua nga qeveria sovjetike, me Urdhrin “Suvorov” të Klasit të Parë. Vizita e delegacionit qeveritar shqiptar, shkakton tension në Beograd. Frika mos humbiste një pozicion ushtarak të rëndësishëm strategjik, aktivizoi jugosllavët. Nën presionin e tyre, në radhët e aparatit shtetëror dhe partiak shqiptar, u bënë spastrime. Një numër politikanësh të njohur, që mbështesnin afrimin me Bashkimin Sovjetik, iu nënshtruan represioneve, ndërsa një pjesë, e akuzuar për ‘veprimtari shoviniste anti-jugosllave’, u ekzekutuan. Në dhjetor 1947, Shqipërinë e vizitoi Shefi i Shtabit të Ushtrisë Jugosllave, K. Popoviç, i shoqëruar edhe nga dy drejtues politikë, po të Forcave të Armatosura.
Qëllimi i vizitës së tij, ishte përforcimi i lidhjeve në fushën ushtarake, dhe në veçanti të realizohej futja në rajonin e Korçës, të një divizioni jugosllav, si plotësim i një regjimenti ajror, gjoja për mbrojtjen e përbashkët të kufijve jugorë të Shqipërisë, nga një sulm në përgatitje e sipër, i monarko-fashistëve grekë dhe imperialistëve anglo-amerikanë. Këto lëvizje shkaktuan një protestë aktive të vendeve perëndimore, si dhe një reaksion negativ në Bashkimin Sovjetik. Dhe nëse të parët i frikësoheshin zgjerimit të sferës socialiste të influencës, pakënaqësia e udhëheqësit sovjetik në një shkallë jo të vogël, ishte shkaktuar nga rrethana se Beogradi e kishte marrë këtë vendim, pa një marrëveshje paraprake me Moskën.