Shkrimtari Agron Tufa thotë se ka ardhur momenti që Sali Berisha të hapë krahun dhe bashkë me njerëzit që mban afër, t’i lënë vendin të rinjve në Partinë Demokratike.
“PD duhet të rikonceptohet, të rilindë, të ringrihet, duhet të nxjerrë figura që japin shpresë, një mentalitet dhe psikologji të re, një elitë e re politike. PD është bërë si SMT-të e kooperativave, me ato burokratë që i riciklon dhe i fut në listat e mbyllura. PD vazhdon prej 15 vitesh të korrë frytet e hipokrizisë së saj”, tha Tufa në A2 CNN.
I pyetur se kush duhet ta udhëheqë këtë reformim dhe a mund ta bëjë vetë Berisha, Tufa përgjigjet:
“Berisha është i vetmi termocentral energjie të pashtershme. Por është diku 80 vjeç, plot energji lavdi zotit, por ka një mandat të limituar, për vet moshën. Do apo s’do ai do të hapë rrugë zhvillimeve të reja. Nëse është ndryshe, atëherë ajo parti do të mbahet monument kulture për një pakicë. Kjo do të jetë gjëja më e keqe e mundshme”, tha Tufa.