Janë betuar në ambientet e presidencës tre ministrat e qeverisë Rama, që dje morën dhe votat e deputetëve në Kuvend. Në prani dhe të kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, sekretarit të kryeministrisë Engjëll Agaçi, ministrat e rinj u betuan me dorën mbi Kushtetutë përpara presidentit Bajram Begaj.
Për Blendi Gonxhjan dhe Adea Pirdenin kjo është hera e parë që betohen si ministra, ndërsa Ervin Mete betohet për herë të dytë brenda pak muajsh, për shkak se tani e tutje ai do të jetë vetëm ministër i Financave.
Kështu Blendi Gonxhja do të drejtojë Ministrinë e Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës, Adea Pirdeni Ministrinë për Administratën dhe Antikorrupsionin, ndërsa Ervin Mete Ministrinë e Financave.
Votimi i tyre gjatë ditës së djeshme në Kuvend u shoqërua me debate të shumta në seancë, e cila zgjati vetëm 13 minuta. Në rendin e ditës ishte parashikuar që të mbahej dhe një fjalim nga presidenti Bajram Begaj, i cili u pengua nga opozita, dhe u detyrua që të dilte për mediat nga ambientet e zyrës së tij.