Në zgjedhje me 0 vota! 59 kandidatë “indiferentë” (për lojë apo sa për numër?!) që s’votuan as veten

Që prej mbrëmjes së 11 majit, kur votimi përfundoi dhe nisi procesi i numërimit, palestrat e shkollave apo sallat e mëdha ku hapeshin kutitë, ofronin pamjet e kandidatëve të shumtë që në ankth ndiqnin cdo votë.

Por nga 1540 kandidatë të përfshirë në listat e hapura, duket se disa prej tyre e kanë parë të gjithën si një lojë, apo ndoshta, kanë pranuar që emri i tyre të futej në listë thjesht si një numër.

Kulmi, është me 52 kandidatë që nuk kanë marrë mundimin të votojnë as veten e tyre, duke shënuar një rekord absolut, me 0 vota. Ngjashëm ka ndodhur dhe me 7 të tjerë, të cilët nuk e kanë mbajtur dot këtë rekord, sepse ua ka prishur, 1 votë për emrin e tyre nga diaspora.

Ndërsa 59 të tjerë, rezultojnë të kenë marrë të paktën 1 votë. Gjë që të lë të kuptosh se mund të kenë votuar vetveten, duke mos dashur të bëhen qesharakë. Një rezuiltat megjithatë dhe ky fort i dhimbshëm, sepse dëshmon se ata nuk i kanë marrë seriozisht as familjarët e tyre të ngushtë, për të mos folur për të tjerët.

Lajme të tjera |  Meta heton besnikët e tij nga burgu: Secili të më paraqesë një raport personal për angazhimin në zgjedhje

Sipas një vëzhgimi që Report Tv i ka bërë rezultatit të garës së hapur, partia me më shumë kandidatë me 0 apo 1 votë, është Aleanca Demokracia e re e Edmond Stojkut, me 59 të tillë.

Këtë parti e pason Lëvizja Atdheu e Kreshnik Osmanit, me 26 kandidatë në lista të hapura që morën 0 dhe 1 votë.

Edhe në koalicionin e Dashamir Shehit me Enkeleid Alibeajn, Djathtas 1912, 18 janë kandidatët që duket se nuk e kanë marrë seriozisht garën. 11 prej tyre kanë marrë vetëm nga 1 votë, por 7 të tjerë nuk kanë zgjedhur as veten, duke shënuar zero vota.

Elena Kocaqi me Partinë Aleanca Kombëtare Shqiptare  ka 11 kandidatë me 0 dhe 1 vota.

Edhe koalicioni Euroatlantik i Lulzim Bashës shënon 3 kandidatë pa mbështetje. 2 kanë nga 1 votë, dhe njëri s’ka mundur të marrë votën e asnjë qytetari, as të vetes.

Lajme të tjera |  Ilir Alimehmeti: Votat e mia janë bio, koha për analizë dhe vendime në PD

Me vetëm 1 kandidat që mund të ketë votuar veten pasi ka marrë vetëm 1 votë, është edhe Partia Social Demokrate e Tom Doshit

59 KANDIDATË ME 1 VOTË
52 KANDIDATË ME 0 VOTA
7 KANDIDATË ME 0 VOTA NË VEND, 1 NGA DIASPORA
ALEANCA DEMOKRACIA E RE (Edmond Stojku)
28 kandidatë me 1 votë
27 kandidatë me 0 vota
4 kandidatë me 1 votë në diasporë
LËVIZJA ATDHEU (Kreshnik Osmani)
13 kandidatë me 1 votë
11 kandidatë me 0 vota
2 kandidatë me 1 votë nga diaspora

DJATHTAS 1912 (Dashmir Shehi-Enkeleid Alibeaj)

11 kandidatë me 1 votë
7 kandidatë me 0 vota
PARTIA ALEANCA KOMBËTARE SHQIPTARE – (Elena Kocaqi)
4 kandidatë me 1 votë
6 kandidatë me 0 vota
1 kandidat me 1 votë në diasporë
KOALICIONI EUROATLANTIK (Lulzim Basha)
2 kandidatë me 1 votë
1 kandidat me 0 vota
PARTIA SOCIAL DEMOKRATE (Tom Doshi)
1 kandidat me 1 votë
/ Shqiptarja. Com

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us