Papa Françesku, i cili ishte edhe Papa i parë nga Amerika Latine, ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare. Gjatë gjithë jetës së tij ai u përball me probleme shëndetësore, por ishte i guximshëm dhe gjithmonë në humor të mirë. Ishte një jetë që e çoi atë nga një fëmijëri e varfër në Buenos Aires në udhëheqësin e 1.3 miliardë besimtarëve të Kishës Katolike si Papa i 266-të.
Ndërsa bota shikon zhvillimet më të fundit rreth vdekjes së tij, kujtimet nga vitet e tij të reja po dalin në sipërfaqe, duke përfshirë historinë e tij të dashurisë me Amalia Damonte, gruaja që ndryshoi fatin e tij. Kur Jorge Mario Bergoglio ishte 12 vjeç, ai ra në dashuri me një vajzë të quajtur Amalia. Jorge dhe Amalia ishin dy adoleshentë që ndanë momente gëzimi dhe luanin në rrugët e Buenos Aires. Ata u njohën në lagjen e tyre dhe lidhja e tyre u kthye shpejt në një lidhje romantike.
Megjithatë, dashuria e tyre kurrë nuk pati mundësinë të lulëzonte plotësisht, pasi prindërit e Amalias i konsideronin të dy fëmijët si shumë të vegjël për dashuri. Refuzimi i familjes Damonte ishte një goditje për të riun Bergoglio.
Në shenjë vendosmërie, ai i shkroi Amalisë një letër që shënoi fatin e tij: Nëse nuk martohem me ty, do të bëhem prift.
Dhe e mbajti fjalën, pasi muaj më vonë hyri në shkollë pa e menduar se më vonë do të bëhej udhëheqës i kishës katolike.
“Ishte diçka mes fëmijëve dhe krejtësisht e pastër”
Amalia Damonte kujton me mall se kush ishte dashuria e parë e jetës së saj. Në deklaratat e saj, ajo shprehu admirimin e saj absolut për Papa Françeskun, duke theksuar personalitetin e tij dhe përvojat e saj me të, sipas “The Guardian”.
“Kur ishim të vegjël më shkroi një letër dhe unë nuk i përgjigjesha. Babai më kishte rrahur se kisha guxuar t’i shkruaja një letër një djali.”
“Nuk kam asgjë për të fshehur, pasi ishte diçka mes fëmijëve dhe krejtësisht e pastër”, kishte thënë ai.
Ajo dashuri rinore mbeti në të kaluarën, por shenja e saj ishte e pashlyeshme. Jorge Bergoglio e shndërroi dhimbjen e ndarjes në një rrugë shërbimi dhe përkushtimi, në të njëjtën rrugë që e çoi në papat. Me kalimin e viteve, Amalia Damonte dhe Papa Françesku mbajtën kontakte përmes letrave, duke treguar se, megjithëse rrugët e tyre morën drejtime të ndryshme, respekti dhe dashuria nuk u zhdukën kurrë