Nga Eduard Zaloshnja
Nga një sondazh rigoroz që drejtova në gjithë territorin e vendit pas 11 majit, rezultoi se vetëm 76.4% e zgjedhësve të këtushëm votuan, ndërsa 23.6% e tyre nuk votuan fare. Dhe meqë KQZ certifikoi zyrtarisht se vetëm 1.46 milionë zgjedhës të këtushëm votuan, mund të ekstrapolohet me afërsi se rreth 450 mijë zgjedhës të këtushëm nuk votuan fare.
Një sondazh identik e drejtova edhe para katër vjetësh (pas zgjedhjeve të 2021-shit), nga i cili rezultoi se 83% e zgjedhësve të këtushëm votuan, ndërsa 17% e tyre nuk votuan atëherë. Që përkthehet në 1.66 milionë pjesëmarrës dhe 340 mijë mospjesëmarrës të këtushëm (atëherë emigrantët as mund të votonin me postë, dhe as mund të vinin për të votuar këtu – prej pandemisë).
Pakësimi i pjesëmarrësve të këtushëm me 200 mijë shpjegohet pjesërisht me pakësimin e zgjedhësve brenda vendit (90 mijë) dhe kryesisht me mosdëshirën për të votuar për asnjë nga partitë ekzistuese (110 mijë).
Rënia e pjesëmarrjes së këtushme pati efekt dramatik për partitë përbërëse të Aleancës për Shqipërinë Madhështore (PD+LSI+etj,). Ato krijuan një gropë të madhe elektorale prej 250 mijë votash të këtushme, krahasuar me 2021-shin. Ndërkohë, një gropë të vogël prej 34 mijë votash e krijoi edhe PS-ja. Dhe dy gropat elektorale të partive të mëdha u mbushën pjesërisht nga partitë e vogla, të cilat morën këtu plot 113 mijë vota më shumë se më 2021 (shihni tabelën e mëposhtme).
Meqë në listën e zgjedhësve ishin gjithsej 3.71 milionë shtetas, dhe meqë rreth 1.91 milionë më rezultuan brenda vendit në këto zgjedhje, mund të llogaritet që rreth 1.8 milionë ishin jashtë vendit. Prej këtyre të fundit, vetëm 11.1% (202 mijë) e dërguan votën me postë…