Deputetja e Partisë Demokratike Oriela Nebiaj, pritet që të jetë opinioniste në Big Brother Albania 3, në krah të Arbër Hajdarit, i cili për të tretin vit pritet që të jetë pjesë e formatit.
Burime i thanë Zërit se Nebiaj paraprakisht ka marrë leje në Kuvend, për angazhimin që do të ketë dy herë në javë si opinioniste në Big Brother, në televizionin ku ajo bëri edhe karrierë për shumë vite si moderatore e programit të mëngjesit.
Ndryshe nga emrat që qarkulluan fillimisht, se do të merrnin rolin e moderatores, Ori është përmendur vetëm në ditët e fundit, ndërkohë që sezoni i ri i Big Brother do të startojë nga data 13 Janar. Ka shumë risi ky vit në fakt, duke nisur nga moderimi që rikthen Ledion Liçon në ekran, dhe deri te emrat e personazheve, që këtë vit pritet të jenë të dyfishtë në numër.
Nebiaj u bë pjesë e Kuvendit në Nëntor të vitit 2022, teksa mori mandatin e Grida Dumës, e cila la karrierën e saj si politikane, për të qenë pjesë e ekranit, në moderimin e emisionit politik në Top Channel.
Sa i takon Big Brother, një dyzinë me emra janë përfolur si pjesëmarrës në këtë vit, por në mesin e atyre që duket se janë konfirmuar është Romeo Veshaj, këngëtari Bardhi, moderator Drini Zeqo, ndërsa përfliten emra si Roza Lati, Alfio Rrotani, Albi Nako, dhe të tjerë personazhe.