Nga Egnatia te Dinamo City, krahasimi i dy fazave të para të sezonit të kaluar dhe atij aktual në Superiore

Kampionati “Abissnet Superiore” ka përmbyllur me sukses dy fazat e para, duke sjellë rivalitet dhe surpriza në renditje. Krahasimi i performancës së skuadrave mes sezonit aktual dhe atij të kaluar 2023/2024 nxjerr në pah ndryshimet që kanë ndodhur në renditje.

Në sezonin e kaluar, pas javës së 18-të kryesonte Egnatia me 37 pikë, një ecuri që i hapi rrugën drejt titullit kampion. Ndërkohë, në sezonin aktual kampionatin e udhëheq Dinamo City me 31 pikë, ndërsa në sezonin e kaluar skuadra e Dinamos mbante vendin e pestë me vetëm 22 pikë. Egnatia, nga vendi i parë një vit më parë, tani renditet në vendin e katërt, por është vetëm një pikë larg kryesimit.

Lajme të tjera |  Historiku i ndeshjeve direkte, kuqezinjtë ''të detyruar'' për të fituar, Serbia në letër favorite

Vllaznia nga ana tjetër ka shfaqur përmirësim të dukshëm. Në sezonin 2023/2024, kuqeblutë kishim grumbulluar 26 pikë, ndërsa këtë sezon janë në vendin e dytë me 31 pikë, po aq sa Dinamo kryesues.

Ndërkohë, Partizani një vit më parë ndodhej në vendin e dytë me 32 pikë. Tani të kuqtë janë në vendin e tretë me 30 pikë, duke treguar një rënie të lehtë, por ndodhen vetëm një pikë larg vendit të parë.

Rënie të dukshme ka shfaqur Tirana. Në sezonin e kaluar bardheblutë ishin në të njëjtën kuotë pikësh me Vllazninë 26, ndërsa aktualisht janë në vendin e shtatë me vetëm 18 pikë.

Në fund të renditjes, Skënderbeu dhe Laçi janë dy skuadrat që kanë pësuar më shumë rënie. Korçarët, të cilët sezonin e kaluar ishin në vendin e gjashtë me 22 pikë, tani mbyllin tabelën me vetëm 15 pikë. Laçi gjithashtu ka katër pikë më pak krahasuar me një vit më parë.

Lajme të tjera |  “Lufta ka mbaruar”, ish-kapiteni mesazh futbollistëve të Kombëtares: Kosova është e jona, tani luani futboll!

Ky krahasim tregon qartë se sezoni aktual është më i paparashikueshëm. Me vetëm një pikë diferencë mes katër skuadrave të para, çdo rezultat në ndeshjet e ardhshme mund të ndryshojë tërësisht dinamikën e kampionatit.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us