Shtatë muaj pas arrestimit presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta është marrë zyrtarisht i pandehur. Tashmë, kreu i PL-së duhet të përballet me drejtësinë për të hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj tij për disa vepra penale. Por tanimë që është marrë zyrtarisht i pandehur, Meta ka bërë një lëvizje në mbrojtjen e tij. Ndryshe nga sa ka ndodhur në këto 7 muaj, avokati i Ilir Metës nuk do të jetë më Genc Gjokutaj, por një tjetër. Meta ka zgjedhur që të jetë Kujtim Cakranin.
Ky i fundit, i ftuar mbrëmë në “Top Story”, ka zbuluar se ka marrë detyrën e re duke u shprehur se Gjokutaj nuk mund ta vazhdonte më mbrojtjen për shkak të angazhimeve të tjera.
BISEDA NË STUDIO:
Kujtim Cakrani: Genci është miku im, si kolegu im është padyshim aty. Ka ndodhur për shkaqe pamundësie jo se ka diçka. Genci ka edhe ngarkesa të tjera, ka edhe zotin Berisha. Kjo është arsyeja. Madje bashkë kemi qenë që jemi konsultuar për çështjen e zotit Berisha dhe Meta. Pse më zgjodhi mua? Unë duhet të jem më i miri në qarkullim, larg modestisë. E dyta, kam edhe titullin “bej”, bëj shaka.
Grida Duma: Nuk deshi Genci që të vazhdonte më, apo u dakordësuat kështu?
Kujtim Cakrani: Është çështje ngarkese!
Gjokutaj tashmë është në mbrojtje të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili është në gjyq për dosjen “Partizani”. Mesa duket avokati ka zgjedhur që të përfaqësojë “full time” në gjyq kryedemokratin, i cili bashkë me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi janë marrë zyrtarisht të pandehur për dosjen “Partizani”. Berisha, akuzohet për “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.