Tre ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të 11 Majit, erdhi edhe reagimi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, e cila njihet për rolin e saj aktiv në mbrojtje të demokracisë në vend.
Përmes një mesazhi të shkurtër dhe konciz, Ambasada e SHBA-së uroi ditën e djeshme “popullin shqiptar” për zgjedhjet dhe theksoi se “pret të vazhdojë partneritetin e ngushtë me Shqipërinë”, pa përmendur as fituesit dhe as liderët në veçanti, por as mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Nëse kthehemi pas në kohë dhe risjellim mesazhin e Ambasadës amerikane në zgjedhjet e vitit 2021, vihet re se mesazhi është më i gjatë, ku përveç urimeve për kryeministrin Edi Rama dhe kreun e opozitës së atëhershme Lulzim Basha, vlerësohej pjesëmarrja e qytetarëve dhe nënvizohej rëndësia e ndjekjes penale për çdo shkelës të ligjit zgjedhor. Gjithashtu, atëherë u theksua nevoja për të reflektuar mbi raportin e OSBE/ODIHR për të përmirësuar procesin zgjedhor.
E ndërkohë që analistët në vend mund të analizojnë nga këndvështrime të ndryshme kontekstin e këtyre ndryshimeve, Vox News po sjell dy deklaratat:
Mesazhi i Vitit 2021
Ne urojmë kryeministrin Edi Rama si dhe Partinë Socialiste për fitoren në zgjedhje. Gjithashtu urojmë kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha që udhëhoqi një fushatë të fortë duke i dhënë zë shumë qytetarëve si dhe duke dhënë shpresë. Më me rëndësi, urojmë qytetarët shqiptarë, që folën qartë.
Duke njohur rezultatin e këtyre zgjedhjeve dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, liderat duhet të veprojnë me përgjegjësi për të mirën e shqiptarëve. Presim të punojmë me Shqipërinë për të forcuar më tej bashkëpunimin për demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin.
Ne konstatojmë raportin paraprak të OSBE-ODIHR dhe presim raportin final, që duhet të përdoret për të përmirësuar më tej zgjedhjet në Shqipëri. Ne përsërisim që zbatimi i ligjit dhe gjyqësori duhet të ndjekin penalisht cilindo që shkel ligjin dhe pengon të drejtën e qytetarëve për të votuar lirshëm dhe në paqe”Mesazhi 2025:
Urojmë popullin e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare dhe presim të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë