Nga Blendi Kajsiu
Protesta e 16 majit e organizuar nga berishizmi në mbrojtje të votës së lirë nuk ishte kundër qeverisë Rama apo pushtetit socialist. Pavarësisht se në atë miting u lëshuan shumë akuza, që për ti ditur nuk ka nevojë ti dëgjosh, protesta as nuk e zbeh dhe as nuk e trondit pushtetin e Ramës.
Denoncimi i vjedhjes së zgjedhjeve nga një opozitë që ka rënë me një çerek milion votash në një vend ku banojnë rreth dy milion e gjysëm banorë vështirë se mund të merret seriozisht si provë e diktaturës. Ndaj protesta vërteton ekzistencën e lirisë politike më shumë se vjedhjen apo manipulimin e votës.
Në këtë aspekt protesta i bëri një shërbim shumë të mirë propagandës rilindase dhe samitit të saj evropian. Është shërbimi i rradhës që berishizmi i bën Ramës, duke e portretizuar pushtetin e tij si një demokraci që toleron dhe respekton opozitën, në proporcion me broçkullat që ajo artikulon.
Protesta e berishizmit nuk kishte të bënte as me votën e lirë opozitare, të paktën për dy arësye. Së pari, denoncimet e përdorimit të administratës, të krimit apo të blerjes së votës nuk shpjegojnë firimin e çerek milion votash. Përndryshe si shpjegohet që opozita merrte më shumë vota dje, kur përdorimi i administratës, i blerjes së votës dhe i krimit ishte shumë më prezent se sot?
Së dyti, burimi kryesor i deformimit të vullnetiti popullor në zgjedhjet e fundit nuk ishte krimi apo blerja e votës por sistemi elektoral. Manipulimi i madh ishte penalizimi i partive të vogla me rreth 10 vende në parlament. Kjo prodhoi fryrjen parlamentare të PS-së, me gati 10 mandate, duke e çuar në shumicën e frikshme prej 83 mandatesh.
Është një sistem që votën e protestës kundër bipolaritetit PS-PD ia kalon partisë në pushtet. Është shumë më efektiv se bandat, krimi apo blerja e votës. Imagjinoni sa banda, krim dhe blerje votash duhen për të siguruar 10 mandate në Kuvend.
E megjithatë në morinë e akuzave të berishizmit nuk pati asnjë denoncim të sistemit tonë elektoral që deformon haptas vullnetin popullor. Kjo për faktin e thjeshtë se protesta nuk ishte në mbrojtje të vullnetit popullor. Përkundrazi ajo ishte një refuzim publik i verdiktit elektoral që u shpreh mjaft qartë në zgjedhje.
Asnjë palë zgjedhje, me përjashtim të vitit 1992, nuk ka prodhuar një verdikt më të qartë se ai i zgjedhjeve të 11 majit, 2025. Elektorati i dha një notë kaluese qeverisë Rama dhe një notë mbetëse opozitës berishiste. Dhe nota mbetëse e opozitë ishte shumë më qartë se nota kaluese e qeverisë, për faktin e thjeshtë se rënia elektorale e koalicionit të PD-së ishte shumë më e madhe se rritja elektorale e PS-së.
Pikërisht kundër këtij verdikti proteston berishizmi sot duke refuzuar notën mbetëse që i vuri elektorati shqiptar. Nuk është refuzim i fitores së Ramës sepse ajo pritej. Askush, në të majtë apo në të djathtë, nuk kishte iluzione të një fitore elektorale të berishizmit. Basti elektoral i këtij projekti politik ishte mbajtja, forcimi ose zmadhimi i votës opozitare, jo ardhja në pushtet.
Pikërisht për këtë arësye berishizmi sot refuzon humbjen e tij elektorale dhe jo fitoren e Ramës. Berishizmi sot nuk pranon faktin që ra me çerek milionë votash në raport me zgjedhjet e kaluara dhe për këtë tregon me gisht, si gjithnjë, Edi Ramën.
Ama firimi i votës opozitare nuk ka të bëjë me bandat, administratën apo gjobat e Ramës. Të gjitha këto janë mjete që Rama i përdor për të ruajtur votën socialiste, por ato vlejnë pak ose aspak për të hequr qafe një çerek milion vota opozitare.
Këtë e kanë të qartë edhe berishistët që tashmë kanë filluar sulmin ndaj popullit shqiptar. E akuzojnë si të manipuluar, të nënshtruar, të blerë, të shitur, pa moral politik dhe pa kulturë demokratike, sepse refuzon moralin politik, lirinë dhe demokracinë që ofron dyshja Berisha-Meta, bashkë me Flamur Nokën.
Ndaj berishizmi sot nuk është në opozitë me Ramën apo me Partinë Socialiste. Përkundrazi ai prej kohësh është paterica politike dhe elektorale që e konsolidon këtë pushtet, ndër të tjera edhe duke argumentuar se është i pathyeshëm.
Berishizmi sot është në opozitë me verdiktin e elektoratit. Mbetet për tu parë se si do ti fitojë zgjedhjet e ardhëshme, në vitin 2029, tashmë që si strategji elektorale ka shpallur denoncimin e vullnetit popullor. (Lapsi.al)