‘Non grata’ e Berishës ‘ndez’ replika/ Rama: Turp kombëtar! Paralajmërimi i kreut të PD: Blinken do dalë para drejtësisë

Kreyministri Edi Rama dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha prej kohësh po vijojnë replikat me njëri-tjetrin në distancë. Shkak për një përplasje mes tyre sot, është bërë masa ‘non grata’ e vendosur ndaj kryedemokratit nga Departamenti Amerikan i Shtetit, thuajse 4 vite më parë. Kryeministri Edi Rama ishte i pari që komentoi masën ndaj Berishës në një bashkëbisedim me qytetarët në rubrikën ‘Sy më sy’. Rama e ka quajtur ‘non gratën’ ndaj Berishës një turp kombëtar, ndërsa për heqjen e masës është shprehur se do e shohim me kohën.

Në një përgjigje për deklaratat e Ramës, Berisha u ndal te ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, duke thënë se kreu i qeverisë duhet të kujtojë se Antony Blinken tani është ‘non grata’ në vendin e tij, ndërsa mund të përfundojë dhe në gjyq. Në reagimin e tij, Berisha i kujton Ramës edhe skandalin ‘McGonigal’.

Sali Berisha: Tani që të më bësh mua të komentoj deklaratat e një njeriu të ndryrë që ka frikë dhe tmerr nga gazetari, nuk e di sa është etike ti përgjigjem atij. Sepse unë ai dhe çdo politikan, kemi detyrim elementar ndaj qytetarëve shqiptarë të paraqiten para gazetarëve. Pardje lexova një artikull. Presidenti Donald Trump ishte paraqitur para gazetarëve dhe kishte komunikuar me gazetarët në këtë hark kohor, nga 20 janari gjer tani, 20 herë më shumë se paraardhësi i tij në 4 vite. E kuptoni ju se me këtë qëndrim antitransparencë, antimedia nuk ja vlen ta konsiderosh për asgjë. Përsa i përket asaj që tha ai, unë i them dy fjalë; se, Antony Blinken sot është non grata në vendin e tij, dhe uroj të paraqitet para drejtësisë amerikane. I them gjithashtu se nëqoftëse Blinkeni bëri një vizitë blic në Shqipëri, i paguar apo i papaguar, nuk di gjë, për ti mbuluar skandalin e tmerrshëm McGonigal, kazani po zien. Ai skandal nuk mbyllet kurrë. Kjo është përgjigja ime, për sa thatë.

Ish-kryeministri Sali Berisha u shpall non-grata në vitin 2021 nga Departamenti Amerikan i Shtetit bashkë me familjen e tij. Lajmi u dha nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, i cili njoftoi zyrtarisht se Berisha ka minuar demokracinë dhe se gjatë ushtrimit të detyrës së kryeministrit është përfshirë në afera korruptive dhe ka pasuruar aleatët e tij politikë. Po i njëjti vendim u ndoq gati një vit më pas nga ana e Britanisë së Madhe. Por rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë ka ngjallur shpresë tek Sali Berisha, për të hequr njollën e non grata-s amerikane. Në të gjitha daljet e tij publike që është pyetur, Berisha është shprehur se shpreson shumë se me marrjen e detyrës nga administrata e re amerikane, në Janar 2025, presidenti i ri Donald Trump do të shqyrtojë shpalljen e tij non-grata. Por deri më tani, nuk ka pasur asnjë sinjal për ndryshim të sanksionit as nga SHBA, dhe as nga DASH.

Lajme të tjera |  Berisha shfaqet me kapelen me numrin 1 dhe kujton premtimin më të vështirë të jetës së tij politike

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us