Gaetano Angrizano është arrestuar dje në ditën e lindjes të së birit. 31-vjeçari, i vendosur në listën e 100 kriminelëve më të rrezikshëm në vend, u prangos teksa ishte i ulur në tavolinë me tortën e ditëlindjes para. Për arrestimin e tij u mobilizuan 250 karabinierë, të cilët rrethuan dhe izoluan zonën e Scabias, pak jashtë Napolit, ku ndodhet shtëpia e Angrizanos.
Një “ekzekutiv” i mafies napolitane, Camorra, Angrizano ishte shpallur në kërkim pas dënimi me 10 vjet burg për trafik droge. Oficerët e Policisë kanë ndjekur gjurmët e tij dhe mbrëmë kanë kontrolluar të gjitha shtëpitë në bllokun e pallateve ku mendohej se fshihej edhe mafiozi, derisa e vendosën në pranga.
Camorra është një nga organizatat më të vjetra kriminale në Itali, që daton të paktën që nga shekulli XVIII. Ajo mendohet se e ka origjinën nga Spanja, për t’u transferuar më pas në Itali. Emri Camorra vjen nga një kombinim i “capo” (bosi) dhe “morra” (një lojë kumari napolitane). Kontrolli i shtëpive, ku luhej bixhozi ka qenë biznesi i parë i bandës.