“Nuk ia dolëm të ishim alternativë”, reagimi i ashpër i Tushajt: Opozita garoi kundër vetes! (E PLOTË)

Pas përfundimit të procesit zgjedhor dhe numërimit të votave, Viktor Tushaj, kandidat i koalicionit PD–ASHM për qarkun Lezhë, ka reaguar publikisht përmes një mesazhi kritik ndaj mënyrës si u menaxhua fushata nga opozita. Në qendër të reagimit të tij, Tushaj vendos falënderimin ndaj qytetarëve që e pritën me ngrohtësi gjatë fushatës, por edhe një analizë të drejtëpërdrejtë për kaosin që, sipas tij, karakterizoi veprimtarinë elektorale të opozitës.

“Tani që u numërua edhe vota e fundit, e ndjej thellësisht t’ju falënderoj nga zemra për çdo përqafim, shtrëngim duarsh dhe fjalë të ngrohtë gjatë kësaj fushate. Udhëtimi me ju ishte më shumë se politik, ishte njerëzor. Besuam se dëshira juaj ishte qëllimi ynë. Por nuk mjaftoi.”

Tushaj kritikon ashpër mënyrën si u organizua opozita në këtë garë, duke vënë në dukje se më shumë se kundërshtarë të mazhorancës, kandidatët opozitarë dukeshin sikur garonin për të zhvatur votat e njëri-tjetrit.

Lajme të tjera |  Vijon numërimi i votave preferenciale për Tiranën, çiftet e kandidatëve që po përballen “kokë më kokë”

“Fushata e opozitës, dhe veçanërisht ajo e koalicionit tonë, u kthye në një garë individuale të secilit për vete. Jo për idenë. Jo për qytetarin. Jo për përballjen me qeverinë, por për numrin personal. Kjo corientoi strukturat, goditi moralin dhe hodhi hije mosbesimi mbi të gjithë ne. E pranoj me keqardhje — nuk ia dolëm të ishim alternativë.”

Në mesazhin e tij, Viktor Tushaj ruan tonin dinjitoz ndaj qytetarëve që besuan te figura e tij, duke nënvizuar se mbështetja e marrë nuk do të harrohet, dhe se qëndresa e komisionerëve e numëruesve të tij është për t’u vlerësuar me mirënjohje të thellë.

“Jam përulesisht krenar për besimin që më dhatë. Faleminderit secilit prej jush që e pa vlerën dhe përkushtimin në këtë sfidë të vështirë. Një mirënjohje e veçantë për komisionerët dhe numëruesit tanë — qendrestarë të vërtetë të këtij procesi.”

Në fund të deklaratës së tij, Tushaj shpreh urimin që qytetarët e Lezhës, Kurbinit dhe Mirditës të kenë zgjedhur me mendje të kthjellët dhe me mendim për të ardhmen.

Lajme të tjera |  Inteligjenca ukrainase ngre alarmin: Rusia do lëshojë një raketë balistike me rreze mbi 10 mijë kilometra

“Uroj me zemër që Lezha, Kurbini dhe Mirdita madhështore të kenë bërë zgjedhjen më të mirë për të ardhmen tonë të përbashkët. Zoti ju bekoftë! Suksese të gjithëve!”.

Partia Demokratike kryesoi në Lezhë me 29484 vota brenda vendit ndaj PS, e cila arriti të siguronte 27585 vota. Edhe pas rezultateve të diasporës PD në Lezhë ka katër mandate ndërsa PS ka 3 mandate. Viktor Tushaj arriti të merrte 2002 vota në total.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us