“Nuk ka më ndryshim kufijsh”, ministri i Jashtëm grek nga Korça: Histori e vjetër që nuk i intereson kujt

Në një ceremoni të mbajtur në Korçë, është inauguruar godina e re e Konsullatës së Përgjithshme Greke, një ndërtesë me rëndësi historike dhe simbolike, ku dikur ka shërbyer poeti i njohur dhe fituesi i Çmimit Nobel, Jorgo Seferis.

I pranishëm në këtë ngjarje ishte Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, George Gerapetritis, i cili përcolli mesazhe të forta për miqësi, respekt dhe bashkëjetesë mes dy popujve.

“Politikat e ndryshimit të kufijve i përkasin të kaluarës. Sot na bashkon një histori e përbashkët, vlera të përbashkëta dhe sidomos minoriteti grek, i cili është një urë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi. Ashtu siç do të shkruante Seferis, historitë e vjetra nuk i interesojnë njeriu”, u shpreh Gerapetritis.

Nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm shqiptar, Igli Hasani, e cilësoi ndërtimin e konsullatës si një akt që mishëron marrëdhëniet e reja mes dy vendeve, të bazuara në respekt dhe miqësi shekullore.

“Le të jemi brezi që ndërton një partneritet të vërtetë dhe të qëndrueshëm mes Shqipërisë dhe Greqisë. Greqia ka qene e mbetet partner i rëndësishëm për Shqipërinë. Siç thoshte Seferis: “Urat nuk ndërtohen me kujtime të hidhura, por me fjalë dhe kujtesë”, tha Hasani.

Të dy ministrat theksuan rolin e minoritetit grek në Shqipëri dhe të komunitetit shqiptar në Greqi si ura natyrore lidhëse mes dy kombeve në rrugëtimin e tyre të përbashkët në Europë.

Në këtë kontekst, godina e re e Konsullatës në Korçë nuk u pa thjesht si një investim diplomatik, por si një simbol konkret i bashkëpunimit dhe mirëkuptimit ndërshtetëror.

Lajme të tjera |  Këmbimi valutor 7 korrik/ Me sa blihen e shiten dollari dhe euro, çfarë ndodh me monedhat e tjera

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us