Kryeministrja daneze Mette Frederiksen shpreson që Rusia të ulet në tryezë dhe të jetë mëse serioze për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Por përtej kësaj dëshire, nuk ka asgjë të re për situatën.
Në konferencën e përbashkët me homologun e saj Edi Rama, u shtrua një tjetër pyetje me interes për vendin tonë.
A u diskutua sot procesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE?
“Nuk u martuam sot”, ishte batuta e kryeministrit Edi Rama.
“Por shpresoj që po ecën përpara dhe e kuptojmë të gjithë se procesi i zgjerimit duhet të vazhdojë. Disa vende kanë bërë një punë vërtet të mirë dhe nga këndvështrimi europian ne duhet të jemi të gjithë bashkë. Ky proces varet nga meritokracia. Nuk ishte pjesë e rendit të ditës”, u përgjigj Frederiksen.
Ndërsa Rama tha se ky samit nuk ka të bëjë në thelb me procesin e zgjerimit, duke kujtuar fjalët që Presidenti i Këshillit Europian Antonio Costa tha dje lidhur me këtë.
Ky i fundit tha dje se Shqipëria është mishërimi i procesit të zgjerimit të BE-së, duke e cilësuar si në rrugën e duhur të anëtarësimit.