“Nuredin Seci ka ç’aktivizuar kontaktet”/ Kompania amerikane flet për AP: Po lobojmë për non-gratën e Berishës!

TIRANË, Shqipëri (AP)— Disa nga arkitektët e fushatave presidenciale të Donald Trump janë ribashkuar për të punuar sërish së bashku, kësaj here në Shqipëri, ndërsa përpiqen të ndihmojnë një kandidat “trumpian’ që të triumfojë në zgjedhjet e kësaj fundjave. Bëhet fjalë për Chris LaCivita, i cili shërbeu si bashkë-menaxher i fushatës së suksesshme të Trump në vitin 2024; anketuesin e Trump prej kohësh, Tony Fabrizio, dhe Paul Manafort, i cili shërbeu si kryetar i fushatës së Trump në vitin 2016. Treshja po punon për ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, kreun e Partisë Demokratike të opozitës së Shqipërisë, i cili po e sfidon kryeministrin Edi Rama që t’i rikthejë demokratët në pushtet, edhe pse ai pret gjyqin për akuzat për korrupsion.

“Është e vetmja Parti Demokratike për të cilën do të mendoja ndonjëherë të punoja,”– tha me shaka LaCivita teksa ishte nisur për në Shqipëri.

*Në SHBA, Partia Demokratike është kundërshtarja e Partisë Republikane të Donald Trump

Berisha, i cili shpreson që administrata e re të tërheqë sanksionet që e ndalojnë të hyjë në SHBA, ka nënshkruar gjithashtu një kontratë 2-vjeçare prej 6 milionë dollarësh me “Continental Strategy”, një firmë republikane konsulence dhe lobimi. Stafi i saj përfshin Katie Wiles, vajzën e shefes së stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, e cila së bashku me LaCivitën, udhëhoqi fushatën e Trump. Por, Katie Wiles nuk është e përfshirë me rastin e Berishës. Konsulenca e huaj ka qenë prej kohësh një mënyrë popullore për strategët amerikanë nga të dyja partitë për të fituar para midis cikleve zgjedhore. Në Shqipëri, si në shumë vende të tjera, të qenit i parë si person me lidhje të ngushta me SHBA-në dhe udhëheqësit e saj konsiderohet një aset i madh.

Rama ka lidhjet e tij me aleatët e Trump. Në dhjetor, Kabineti i Ramës miratoi fillimin e negociatave me “Atlantic Incubation Partners LLC”, në pronësi të dhëndrit të Trump, Jared Kushner, për zhvillimin e një resorti luksoz prej 1.6 miliardë dollarësh në ishullin e vogël të Sazanit. Gjatë gjithë fushatës, Berisha e ka paraqitur veten si një figurë të ngjashme me Trumpin dhe viktimë të një skeme politike për të cilën ai fajëson pjesërisht miliarderin amerikan George Soros.

Ai e nisi fushatën e tij me premtimin “Ta bëjmë Shqipërinë përsëri të madhe”, por më vonë iu desh ta ndryshonte sloganin për shkak të shqetësimeve se mund të keqinterpretohej si një referencë për “Shqipërinë e madhe” dhe të nxiste konfrontim në Ballkanin Perëndimor për shkak të frikës që disa në vendet fqinje kanë për ekspansionizmin shqiptar.

Fushata tani zotohet ta bëjë Shqipërinë “grandioze” ose “madheshtore”. Ashtu si Trump, edhe Berisha ka kapelen e tij dalluese të fushatës — një blu që ka të gdhendur numrin 1, renditjen e demokratëve në fletën e votimit. Ndërsa zgjedhjet e fundit në Kanada dhe Australi kanë demonstruar fuqinë e reagimit negativ kundër kandidatëve që konsiderohen shumë të lidhur me Trumpin, në vende të tjera këto lidhje kanë qenë një ndihmë e madhe. Në Argjentinë, Javier Milei erdhi në pushtet me sloganin “Ta bëjmë Argjentinën të madhe përsëri” dhe me stilin Trumpian.

A do ta sjellin konsulentët e rinj një fitore të shumëpritur?

Lajme të tjera |  Sali Berisha mund të udhëtojë drejt SHBA-ve, reagon kreu i PD: Ky vendim shpërblim i madh për të gjithë demokratët!

Partia e Berishës e paraqet punësimin e stafit të fushatës së Trump si një sukses të madh. Amerikanët, thonë ata, kanë punuar në të gjitha aspektet e fushatës, nga strategjia te mesazhet dhe komunikimi publik.

“LaCivita menaxhoi një nga fushatat më spektakolare në historinë politike, duke e bërë Trumpin president edhe pse i kishte të gjithë kundër. Deri në një farë mase kjo lidhet me situatën e opozitës në Shqipëri dhe me udhëheqësin e saj,”-tha PD në një përgjigje me shkrim për Associated Press. Ndërsa shtuan se: PD e Shqipërisë dhe republikanët amerikanë janë “aleatë të natyrshëm”, pasi të dyja forcat politike mbështesin familjen dhe tregun e lirë.

Rama, kreu i Partisë Socialiste, e quan me tallje Berishën një “buf kënete” dhe shpesh kritikon përfshirjen e amerikanëve, madje edhe LaCivita-n. Demokratët nuk kanë zbuluar se sa është paguar LaCivita, por thanë se “pagesa e tij është bërë në përputhje me ligjin dhe rregullat zgjedhore, këtu në Shqipëri dhe në Amerikë” dhe se kontrata përfundimisht do të bëhet publike pas zgjedhjeve. LaCivita ka theksuar se po paguhet vetëm për të këshilluar partinë dhe se nuk po lobon tek zyrtarët në SHBA.

Manafort, thanë ata, është pjesë e ekipit të LaCivitës si “një mik dhe bashkëpunëtor”, ndaj edhe është parë në Tiranë së fundmi.

Punësimi i një kompanie lobimi, me qëllim heqjen e cilësimit ‘non grata’ të Berishës

Përveç ndihmës në fushatë, në fund të prillit, demokratët nënshkruan një kontratë lobimi prej 250,000 dollarësh në muaj me Continental Strategy me seli në SHBA për t’i ndihmuar ata të krijojnë marrëdhënie me  degët ekzekutive dhe legjislative, si dhe për të promovuar demokracinë, iniciativat kundër korrupsionit dhe reformat qeveritare. Firma drejtohet nga Carlos Trujillo, një aleat i hershëm i Trump, i cili shërbeu si ambasador i SHBA-së në Organizatën e Shteteve Amerikane gjatë mandatit të parë të Trump. Marrëveshja ka ngritur dyshime në Shqipëri dhe ka shkaktuar një hetim nga SPAK-u, Struktura Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Firma po paguhet nga Fondacioni “Make Albania Great Again”, një organizatë jofitimprurëse e sapokrijuar e themeluar nga Nuredin Seci, një kontraktor shqiptaro-amerikan nga Neë Jersey, me para që supozohet të jenë mbledhur nga komuniteti shqiptaro-amerikan.

Lajme të tjera |  Papa i ri është amerikani Robert Francis Prevost. Ka zgjedhur emrin Leone XIV

Seci nuk iu përgjigj pyetjeve në lidhje me fondacionin dhe nga kishin ardhur fondet. Pyetjet iu dërguan në llogarinë e tij në Facebook, numrat dhe një adresë email-i e lidhur me Secin duket se janë shkëputur. Melissa Stone, një zëdhënëse e Continental, tha: Puna jonë po financohet nga një biznesmen amerikano-shqiptar dhe udhëheqës aktiv në diasporën shqiptaro-amerikane që e do Amerikën dhe e do Shqipërinë.

Kjo përfshin përpjekjen për të hequr sanksionet ndaj Berishës, të cilit iu ndalua të bënte fushatë në SHBA, ku jetojnë shumë emigrantë shqiptarë.

“Si pjesë e punës sonë për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, ne po i drejtojmë në mënyrë aktive një peticion Administratës Trump për të nisur një rishikim të plotë dhe përmbysje të përdorimit si armë të Seksionit 7031(c) nga epoka e Bidenit kundër udhëheqësve konservatorë dhe pro-amerikanë, përfshirë Presidentin Sali Berisha,”-shtoi ajo në një deklaratë.

Në maj 2021, ish-Sekretari i Shtetit Antony Blinken sanksionoi Berishën për dyshime për “korrupsion të konsiderueshëm” dhe ia ndaloi atij, gruas dhe fëmijëve të tij hyrjen në SHBA. Britania e Madhe bëri të njëjtën gjë një vit më vonë.

Blinken tha se gjatë mandatit të Berishës si kryeministër nga viti 2005 deri në vitin 2013, politikani “ishte i përfshirë në akte korruptive, të tilla si përvetësim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimin e tij personal dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij”, gjë që Berisha e mohon.

Vitin e kaluar, Berisha u akuzua për korrupsion për një skemë të dyshuar në të cilën ai ndihmoi dhëndrin e tij të privatizonte tokë publike për të ndërtuar pallate apartamentesh në kryeqytet, Tiranë. LaCivita e ka quajtur Berishën “një mik të vërtetë të Shteteve të Bashkuara”. Dhe ka bërë paralele midis Trump dhe Berishës, duke i cilësuar të dy si “të ndjekur penalisht dhe të persekutuar padrejtësisht nga një qeveri që nuk ka asnjë konsideratë për Demokracinë”.

LaCivita ka pranuar se vendimi i Berishës për të promovuar përfshirjen e tij është i ndryshëm nga klientët e tjerë të huaj që preferojnë më shumë diskrecion.

“Ky është një vend ku, e dini, ndërhyrja e Amerikës në zgjedhjet e tyre inkurajohet. Kudo tjetër, jo aq shumë”, tha LaCivita në një bisedë me gazetarë që paraqiteshin si klientë potencialë, e cila u botua nga “The Guardian”./ZËRI

Marrë nga AP

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us