Trupi i Artan Lames u përcoll dje për në banesën e fundit nga familjarët, miqtë dhe kolegët.
Në vitin 2016 për shkak të një infarkti ai luftoi fort me vdekjen dhe atë betejë arriti ta fitonte.
Ai tregonte se sa shpeshherë merremi me gjëra që nuk kanë vlerë duke harruar të kujdesemi për veten.
“Kam filozofuar shumë dhe për një muaj isha komplet tjetër. Duhet të më imagjinosh me ato tubat në gojë që shkonin deri në stomak, me gjoksin e hapur që dilnin ca tuba të tjerë, me ato që vareshin nga të gjitha anët se nuk kishte më damarë për të marrë gjakun. Komplet në një botë tjetër.
Dhe shikoja se kisha televizorin përballë, i cili fliste për broçkullat e zakonshme, ne do shkojmë atje, se bulevardi.
Ai tjetri që thoshte, jo se grupi jonë do bëjë këtë. Dhe unë që thosha “O Zot me çfarë merren këta”. Pra ti kupton aty çfarë janë vlerat e vërteta të jetës”, shprehej i ndjeri Lame për Fevziun.
Gjithë kjo periudhë e vështirë e kishte bërë të niste një reflektim për jetën. E mes shumë gjërave ai kujtonte edhe një amanet të Steve Jobs se sa rëndësi ka që jeta të jetohet me pasione.
“Një nga amanetet e Steve Jobs, i cili thoshte tani që i humba të gjitha, shëndet etj., dhe po vdes me miliardat, ndërkohë që Afrika është plot me të shëndetshëm që nuk kanë të hanë ndërsa unë kam miliardat dhe nuk kam shëndetin, dhe lindte disa amanete.
Një ndër to që më është fiksuar, është bëni para sa për të jetuar mirë dhe nga ajo ditë hiqni dorë nga çdo lloj biznesi dhe merruni me pasionet tuaja në jetë”, u shpreh Lame.
Dhe intervistën e tij, ai do ta përfundonte me shprehjen: “Njeriu nuk jeton për paratë”.
Artan Lame ndërroi jetë në moshën 58-vjeçare në Mynih të Gjermanisë pas një ndërhyrjeje në zemër.
Gjatë karrierës së tij, Artan Lame ka mbajtur poste të rëndësishme, përfshirë ato si zëvendësministër, drejtor i Agjencisë së Kadastrës dhe Legalizimeve, por kontributi i tij ishte i pasur edhe në publicistikë, si studiues e koleksionues i rëndësishëm.