Fjalimi dhe një lapsus i bërë nga kryedemokrati Sali Berisha në mbylljen e fushatës në qarkun e Fierit, ka sjellë një tjetër përplasje të drejtuesëve politike të partive më të mëdha në vend. Teksa përmbylli fushatën elektorale në Fier, Berisha premtoi statusin e naftëtarëve, por në vend të kësaj të fundit tha “minatorëve”.
“Ne vendosim statusin e minatorit për çdo qytetar të këtij qarku që ka punuar me naftë…,“-u shpreh Berisha në fjalimin e tij. Ky lapsus, menjëherë u shpërnda në rrjetet sociale nga drejtuesja politike e qarkut të Fierit për Partinë Socialiste, Belinda Balluku. Kjo e fundit në rrjetet e saj sociale nuk e kurseu ironinë.
“O Zot, vër dorë, se shastisi edhe ata 200 veta që i kanë ngelur! Çfarë do na dëgjojnë veshët akoma! Këtej nga qarku i Fierit, kjo quhet Estrada e Ballshit,”-shkruan zv.kryeministrja. Por përgjigjen e mori nga “homologu” i saj, drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Fieri, Gazment Bardhi. Ky i fundit, e cilësoi me nofkën “belamafia”, duke i përmendur burgun e grave që është ndërtuar në Pogradec.
“Qenka shastisur Ms. BelaMafia nga fjalimi i Sali Berishës në Fier! O Belinda, po ti ke shastisur një SPAK të tërë dhe na bën si e virgjër nga firma. Ç’nuk ka gjetur SPAK nëpër telefona për Ms. BelaMafian dhe kjo shastiset pse ne do të trajtojmë njësoj me status si minatorët, dhe naftëtarët! Sa për aperitiv fundjave këto: 50 milionë euro të avulluar tek Tuneli i Llogarasë; 180 milionë euro të djegura për shitblerjen e energjisë; 45 milionë euro të djegura me “Tigri 1” dhe “Tigri 2”; 70 milion euro korrupsion për impiantin e trajtimit të ujërave të zeza në Tiranë. Ms. BelaMafia, lëre Zotin rehat sonte. Thirre në ndihmë, kur të të vijë radha për të zënë qelinë në burgun e grave në Pojskë!,”-i replikoi Bardhi.