Nga sheshi “Skënderbej” ku mbajti fjalimin falënderues për qytetarët që e votuan dhe i besuan Partisë Socialiste sërish qeverisjen e vendit, Edi Rama vendosi objektivin për mandatin e katërt.
Anëtarësimi në Bashkimin Europian sipas tij do të jetë objektivi madhor për të cilin do të punohet në këto katër vite.
“Ne do të bëjë të pamundurën që ta bëjmë mandate po aq domethënës edhe historikisht duke i mbyllur brenda vitit 2027 negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Be dhe duke e vendosur karrigen e Shqipërisë në tryezën e madhe të familjes europiane në vitin 2030. Koha e deshi që në këtë shesh të Skënderbeut, kërthizë e Europës së Ballkanit ne tua kërkojmë Shqiptarëve të na e besojnë ne administrimin e shansit historik të bashkimit me Europën dhe ndarjes pa kthim njëherë e përgjithmonë me Azinë. Shqiptarët na e plotësuan kërkesën me një mbështetje po aq kuptimplotë sa sfida e madhe që na risolli në shesh sot, si bartës të mandatit më të rëndësishëm dhe më sfidues të PS qyshes unë të paktën jam në krye të saj, ama për të fituar një bast historik sa më s’ka. Me Europën për Shqipërinë dhe me Shqipërinë për Europën. Ky është një mandat për t’u bërë një me fatin europian, që kalorësi mbi kokat tona, profeti ynë kombëtar Gjergj Kastrioti na e përcaktoi si fatin tonë të patjetërsueshëm”, tha Rama.
Më tej shefi i qeverisë nënvizoi se për ne shqiptarët, “dielli lind andej nga perëndon dhe askund tjetër”.
“Ky është një mandat për ta mbajtur me shpirt ndër dhëmb, gurin e pavarësisë së drejtësisë dhe barazisë para ligjit derisa të mos e luajë më topi nga themelet e ngrehinës europiane të shtetit shqiptar, ku fantazmat e pandëshkueshmërisë nuk do të gjejnë më kurrë vend”, theksoi Rama.