Këngët italiane në opera janë shtuar në listën e trashëgimisë kulturore të Kombeve të Bashkuara. UNESCO, agjencia e kulturës e OKB-së, njoftoi se ka shpallur trashëgimi kulturore artin katër shekullor, së bashku me kostumet, dramat dhe muzikën, në kategorinë ‘Trashëgimi Kulturore Jomateriale’.
Opera italiane u zhvillua në fund të viteve 1500 dhe në fillim të viteve 1600 në Firence, në oborrin e familjes Medici. Zakonisht përfshin këndim virtuoz. “Ky është një konfirmim zyrtar i asaj që ne e dinim tashmë: këndimi i operës është një përsosmëri botërore”, tha ministri i Kulturës i Italisë Gennaro Sangiuliano, në një deklaratë pas vendimit të UNESCO-s. Unesco e përshkroi operën italiane si një mënyrë e kontrolluar fiziologjikisht e të kënduarit, që rrit fuqinë mbajtëse të zërit në hapësirat akustike, si amfiteatrot dhe kishat.
UNESCO shtoi se arti promovoi kohezionin kolektiv dhe kujtesën sociokulturore, si dhe ishte një mjet i shprehjes së lirë dhe dialogut ndër breza. Kompozitori i parë i madh i operës konsiderohet të jetë italiani Claudio Monteverdi, i cili jetoi nga viti 1567 deri më 1643. Gazeta italiane ‘La Repubblica’ thekson se vlerësimi vjen në prag të përurimit tradicional të sezonit 2023-2024, në teatrin e operës ‘La Scala’.
Sot ka rreth 60 opera në të gjithë Italinë – një rekord global – ndërsa këngëtarët e operës, si tenori i shekullit të 20-të, Luciano Pavarotti, janë nderuar si yje të mëdhenj. Sopranoja italiane Carmela Remigio tha për gazetën ‘Corriere della Sera’ se falë operës të saj, gjuha italiane ishte ende e njohur në botë. “Që opera italiane tashmë ka hyrë në trashëgiminë e njerëzimit, është një emocion i madh. Padiskutim ndihem tepër mirë”, tha ajo.
Duke bërë njoftimin në një takim në Botsvana për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, UNESCO shtoi gjithashtu në trashëgiminë kulturore jomateriale ceviçen peruane, pikturën e rickshau nga Bangladeshi, zanatet e qeramikës uzbeke, thurjen e rrobave në Bregun e Fildishtë dhe disa zakone e tradita të tjera.