Me votat e socialistëve, Konferenca e Kryetarëve miratoi ngritjen e Komisionit Hetimor për Dizinformimin, që është kërkuar nga të majtët. Të gjithë anëtarët e opozitës në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, kërkuan shtyrjen e vendimit.
Kreu i grupit parlamentar në PD, Gazment Bardhi tha se kjo është një çështje shumë sensitive, që duhet të trajtohet me kujdes të veçantë,ndërsa kërkoi që të shuheshin të gjitha dilemat, nëse puna e këtij Komisioni do të cënojë lirinë e mediave.
“Kjo çështje është sensitive dhe duhet të trajtohet me kujdes të veçantë. Ne bashkëndajmë shqetësimin për ndërhyrjet e e shteteve të treta jo partnere nëpërmjet të gjitha formave. Mirëpo, do duhet që ju të qartësoni iniciativën, të informoni ne dhe gjitha publikun mbi çfarë do të bëjë dhe për çfarë po kërkohet.
Flisni për marrëveshje ndërkombëtare, marrëveshje me SHBA, dhe ne nuk dimë asgjë për atë marrëveshje pasi nuk na e keni vënë në dispozicion, edhe pse Kushtetuta e detyron qeverinë të na vendos në dijeni. Këto çështje që pretendohen të trajtohen në ketë komision të posaçëm mund të trajtohen fare mire në komisionet respektive, Komisionin e Medias apo Komisionin e Sigurisë. Pse nuk mund të trajtohen aty?
Do duhet të hiqet çdo dilemë për nderhyrje në lirinë e medias. Nëse nuk është ky qëllimi i fshehur, duhet të marrin kohën e nevojshme dhe mos e trajtojmë si një temë për konsum ditor. Ka një Rezolutë të Kuvendit në 2019, e miratuat dhe e harruat. E trajtuat si temë dite dhe aq. Aty përcaktohet detyrimi që institucionet e sigurisë të sjellin raport në Kuvend, gjë që nuk e kanë bërë. Duhet të konsuktohemi me shoqatat e medias, që qartësohet objekti dhe motivet, çfarë do të trajtojë dhe pse duhet”, u shpreh Bardhi.
Mirëpo kreu i Grupit Parlamentar të PS, Bledi Çuçi, tha se objekti i këtij komisioni nuk do të cënojë lirinë e medias, por vetëm ndërhyrjet e huaja në Shqipëri.
“Duke iu referuar marrëveshjes me SHBA, të cilës iu referuar zonja Tabaku, ne nuk kemi detyrime, por marrim iniciativa dhe e sjellim në Parlament që të bëhet gjithëpërfshirëse. Fakti që jemi vonë nuk duhet të na bëjë të vonojmë më tepër. Objekti i këtij Komisioni të Posaçëm do të hyjë të paktën në termat e 4 komisioneve të tjera parlamentare (Komisioni i Jashtëm, Ligjet, Siguria Kombëtare dhe Edukimit) Me afat 1-vjeçar sepse fusha e veprimit të këtij komisioni është shumë e gjerë. Ekzaktësisht ky komision do të marrë në shqyrtim edhe zbatimin e ligjit të AMA që përmendi zonja Açka. Komisioni i Posaçëm i PE ka zgjatur më shumë se dy vjet dhe është marrë me të gjitha ndërhyrjet në shtetet e BE”, deklaroi Çuçi.
Në fund u miratua ngritja e komisionit vetëm me votat e mazhorancës, ndërsa opozita kërkoi më tepër kohë. Afati i këtij komisioni do të jetë 1 vit,pasi sipas Çuçit ka një fokus shumë të gjerë.