Opozita me një kandidat për Tiranën? Berisha dhe Shehaj, “ok” për bashkëpunim, LB heziton, Lapaj: E vendosin strukturat!

Me Erion Veliajn në burg, duket se në politikë po diskutohet zëvendësimi i tij në krye të Bashkisë së Tiranës. Aktualisht, qeveria e kryeqytetit drejtohet nga një kryetare e komanduar, Anuela Ristani. Por edhe posti i saj në krye të Bashkisë nuk mund të zgjasë përgjithmonë. Ligji “Nr. 139/2015” për vetëqeverisjen vendore e thotë qartë se kur duhet të ndodhë shkarkimi i një kryebashkiaku, e Veliaj i përmbush disa kritere. Sipas nenit 61 dhe 62, kryetari i bashkisë shkarkohet nga detyra kur nuk është më banor i përhershëm i bashkisë ku është zgjedhur.

Dhe kjo pikë është e “përmbushur”, pasi për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Veliaj u regjistrua si banues në Bashkinë e Durrësit, pasi votoi nga qendra e paraburgimit. Po ashtu, Veliaj mund të propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak për mosparaqitje në detyrë. Ai është vendosur në pranga që në muajin shkurt, kështu që e ka plotësuar afatin për mungesën e lejuar për 3 muaj nga ushtrimi ie detyrave.

Përfundimi para kohe i mandatit të kryetarit të bashkisë:

Opozita me një kandidat për Tiranën? Berisha dhe Shehaj,

1. Mandati i kryetarit të bashkisë përfundon përpara afatit në rastet kur kryetari:
a) nuk pranon të bëjë betimin;
b) jep dorëheqjen;
c) nuk është më banor i përhershëm i bashkisë ku është zgjedhur;
ç) shkarkohet, sipas nenit 62 të këtij ligji;
d) kandidon për deputet;
dh) humbet zotësinë juridike për të vepruar me vendim gjykate të formës së prerë;
e) vdes.

Shkarkimi i kryetarit të bashkisë
Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur:
a) kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve;
b) dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata;
c) propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë.

Megjithatë, kërkesën për shkarkimin e tij duhet ta paraqesin ose anëtarët e Këshillit Bashkiak, ose qeveria me anë të një vendimi të Këshillit të Ministrave. Por edhe pse asnjë nga këto të dyja nuk ka ndodhur, “përgatitjet” kanë nisur. Agron Shehaj, kreu i Partisë “Mundësia” nisi i pari serinë e deklaratave publike për atë që do të zëvendësojë Veliajn. Sipas tij, ndryshe nga zgjedhjet parlamentare, në këto lokale, duhet një bashkim i forcave opozitare për të mposhtur maxhorancën. Për Shehaj, “formula” është e thjeshtë: të gjithë të bëhen bashkë për të mbështetur një figurë jopolitike. Po ashtu, shpjegoi pse një kandidat i përbashkët i opozitës për kryetar bashkie të Tiranës mund të ketë shanse të fitojë.

“Ka dallime mes zgjedhjeve të 11 majit dhe tani për kryetar, sepse ne nuk po themi të shkrihemi në një parti. Tjetra është që kandidati i përbashkët të jetë jo partiak, mundësisht dhe jo politik. Në zgjedhjet e 11 majit kishim diferencë me PD për t’u bërë bashkë. Ndërsa për zgjedhjet për Kryetar Bashkie në Tiranë është vetëm një kauzë, të zgjedhim një figurë, pasi nuk ka zgjedhje për këshill bashkiak. Nuk po them të bëhemi shok e miq, por të nxjerrim një kandidat që të përfaqësojë opozitën. Mendoj që jashtë politikës ka shumë njerëz që mund të jepnin kontributin e tyre. Emër nuk kam, por jam i bindur që ka plot jashtë politikës që mund të adminstrojë edhe qeverisë mirë Tiranën. Jemi të hapur për emra, pastaj, së pari, të vendosim në parim këtë propozim. Duhet dikush që nuk përfaqëson parti, por gjithë opozitën,”-tha Agron Shehaj në një dalje televizive.

Lajme të tjera |  Trump premton se do zgjidhë konfliktet mes Kosovës dhe Serbisë: Biden i dëmtoi!

Përgjigje pozitive mori nga kryedemokrati Sali Berisha. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh i gatshëm që të gjitha partitë e opozitës të dalin me një kandidat të përbashkët nëse do të zhvillohen zgjedhjet për kryetarin e bashkisë së Tiranës. Gjatë një konference me gazetarët, Berisha pranoi idenë e bashkimit të opozitës rreth një kandidati, por shprehu rezerva që personi i zgjedhur të jetë “jopolitik”.

“Për të dalë partitë opozitare më një kandidat, këtë e mbështes plotësisht. Por që të pretendohet të zgjidhet kryetari i bashkisë së kryeqytetit, një njeri jopolitik, një gjë të tillë nuk e kam dëgjuar ndonjëherë. Sepse ai të paktën duhet të ketë një program, në të cilin çmonton të gjithë batërdinë bazuar në politikën e narkoshtetit në Tiranë,”- tha Berisha.

Lajme të tjera |  Paralajmërimi i Veliajt nga qelia: Më arrestuan dhe më poshtëruan...por karma e gjen rrugën!

Duke qenë se përgjigjet ndaj propozimit të Shehajt mbetën me kaq, ZËRI kontaktoi edhe me liderët e partive të tjera opozitare që do të nisin nga puna në korrik me të zgjedhurit e tyre në Kuvendin e Shqipërisë. Për kreun e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj dhe drejtuesin e “Lëvizja Bashkë”, Arlind Qori u bë e njëjta pyetje: A do të jenë të gatshëm që të bashkëpunojnë për të mundur maxhorancën?

Arlind Qori dhe “LB” zgjodhi të mos jepte një përgjigje konkrete.

“Më vjen keq, por për këtë çështje nuk kam asnjë koment,“-tha Arlind Qori i pyetur nga ZËRI. Ndërsa një shtjellim më të gjatë, pati Lapaj.

Nuk dha as përgjigje pozitive dhe as negative sa i përket propozimit, por e la të hapur mundësinë që ta shqyrtojë me strukturat e partisë që ai drejton për të marrë një vendim.

Ne jemi parti me disa mijëra anëtarë dhe si u provua në zgjedhje me rreth 80 000 mbështetës (64 268 vota të vlefshme dhe mbi 15 000 të pavlefshme). Si të tillë vendimet i kalojmë përmes strukturave tona. Të gjitha vendimet tona do jenë publike kur të merren. Unë sot nuk kam autorizim nga strukturat për të folur sa kohë nuk është diskutuar e aq më shumë të jetë marrë një vendim. Ajo që mund t’ju them është angazhimi ynë si forca e tretë më e votuar në vend për të bërë çdo gjë për ndryshimin e klasës aktuale politike dhe demokratizimin e vendit. Vendi demokratizohet duke ndryshuar ligjin elektoral e duke e bërë atë demokratik,”-tha në përgjigjen e tij për ZËRI-n, Adriatik Lapaj.

Megjithatë, do të duhet që të presim për të ndjekur hapat që do të merren. A do të ketë zgjedhje të pjesshme lokale edhe për Tiranën? Kush do të jetë i zgjedhuri i Partisë Socialiste për kryeqytetin? Ndërkohë priten edhe zgjedhje të tjera në Bashkitë, ku kryetarët zgjodhën të linin mandatin për të garuar për deputetë (mandat që e fituan). Pritet që përveç Tiranës të votohet në Berat, Tepelenë dhe në Mat. Ndoshta vjeshta na gjen sërish duke votuar.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us