Pa nam e nishan

Vendet në listën e atyre që nuk kanë një varr ku të prehen, sa vijnë e shtohen. Këtë vit, në atë listë u bashkua dhe dyshja e miqveLeonard Thodhori alias “Koçole” dhe Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi. Dyshja u zhdukën që në datën 7 Prill të këtij viti, pas përplasjeve që dyshohet se kanë pasur për trafikun e kanabisit

Ata dyshohet se janë rrëmbyer me mirëbesim, përmes një miku të përbashkët. Pamjet filmike të kamerave të sigurisë kanë pikasur një makinë që i ka marrë. Në vendin e parë si pasagjer dallohet i ulur Fatmir Sulovari, ndërsa pas është futur Thodhori. Edhe pse policia ka ndërmarrë aksione të shumta në javët e para pas zhdukjes, trupat e tyre nuk u gjetën kurrë.

Leonard Thodhori, 46 vjec i njohur si “Koçole” është dënuar disa herë. Ai ka qenë i dyshuar si pjesëmarrës në Masakrën e Qafë-Gjashtës në vitin 1997 ku u vra oficeri i policisë Gjergj Mehmeti. Në vitin 2003 ka qenë prezent ne automjetin që drejtohej nga Andrea Gjini para se ky i fundit të vriste biznesmenin Jaho Bajo. Po atë vit u arrestua për “moskallëzim krimi” lidhur me një ngjarje tjetër të kryer nga Gjini. Ai gjithashtu ësht i dyshuar si i përfshirë në trafik lëndësh narkotike.

Ndërsa Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, 46 vjeç është dënuar më për armëmbajtje pa leje dhe plagosje. Ai gjithashtu është arrestuar në prill 2022 në Lushnje me kanabis.

Ulvi Skana, në rrethin e gabuar

Që prej 17 majit të vitit 2022, familja nuk ka pasur asnjë kontakt me Ulvi Skanën, 29-vjeçarin që ishte bërë pjesë e rrethit të Ervis Martinajt, i zhdukur pa gjurmë gjithashtu. Ulvi Skana kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga Belgjika, ku kishte qëndruar për vetëm 2 muaj.

Ulvi Skana punonte si “dealer”, shpërndarës letrash pokeri në Fushë Kuqe, zonë që është njohur gjithmonë si baza e Martinajt.

Ajo që e përforcoi edhe më shumë bindjen se Ulvi Skana, mund të ishte viktima e radhës në sulmin që po i bëhej grupit të Martinaj, ishte miqësia e tij me Can Kariqin, një tjetër ushtar i Ervis Martinaj, një nga të shumtët që u vra në vazhdën e të shumtëve që humbi Martinaj.

Ervis Martinaj, ‘bossi’ që s’ju gjetën gjurmët

Viti 2022 ishte riorganizimi i grupeve kriminale. Në një kohë që i ishin prerë të gjithë ‘krahët’, nuk kishte më të besuar, edhe kushëririn Brilant Bamrtinaj ia kishin vrarë, bosi i lojërave të fatit qarkullonte lirshëm në Tiranë e Durrës, me eskortë të vetëm ish-policin Jeton Lami. Pamjet e fundit që u bënë dhe publike e tregonin Martinajn teksa futej në një hotel në zonën e Durrësit me një vajzë mjaft të njohur të botës së spektaklit. Dhe këto do të ishin pikërisht ditët e fundit që ai do të shijonte. Më 9 gusht, ai ndërpreu çdo kontakt me familjarët, gjë që bëri që ata të kuptonin që diçka kishte ndodhur me të. Pavarësisht se drejtësia e kërkonte, çdo dy orë, Ervis Martinaj komunikonte me familjarët e tij, por kur ata nuk morën më asnjë sinjal, mesazhi ishte i qartë.

Lajme të tjera |  “Do marrim e pakta 78 mandate”, Rama: Nuk do fitojnë dot kurrë po nuk e kuptuan se përse i mundim

Tezat që filluan të hidheshin në rrjet ishin të shumta, që nga copëtimi i trupit e deri tek hedhja në det, por burime më pranë zyrtares flisnin për një bashkëpunim të shumë grupeve të tjera kriminale, për të cilët Martinaj ishte armik i përbashkët. Në këtë mënyrë ata do të eliminonin të vetmin gjëmb që kishin në këmbë, për ta pasur terrenin e lirë në tregun e lojërave të fatit, trafikut të drogës dhe jo vetëm. Martinaj ishte njohur si një biznesmen kontrovers. Emri i tij lakohej në trafik ndërkombëtar droge, në ngarkesa që përktheheshin në miliona euro dhe kishte ‘rrëmbyer’ mjaft hapësira edhe në bizneset vendase. Kështu që eliminimi i tij u shërbente të gjithëve…

Por kujt më shumë? Kjo është një pyetje që ka mbetur pa përgjigje, pavarësisht se kryeministri Edi Rama i vendosi 100 ditë afat kryepolicit Muhamet Rrumbullaku për ta zbardhur si çështje, deri më sot nuk ka një përgjigje të prerë. Vetë ministri i Brendshëm Taulant Balla ka deklaruar se nuk kanë prova që ai të jetë vrarë, por as nuk e ka mohuar një gjë të tillë.

Ndryshe shfaqet situata në Vlorë, atje ku flitet për vaska acidi, ka akoma më pak shpresa për të gjetur trupat e atyre që janë zhdukur pa mëshirë. Nga viti 2016 në Vlorë rezultojnë të zhdukur, disa prej të cilëve janë gjetur të mbytur në det, 16 persona.

Më 16 qershor 2017, në Vlorë u zhduk Marjo Metushaj. Ai u nis të merrte 200 mijë euro, pagesë për shtatë rrugët që kishte bërë si skafist, por nuk u kthye më. Tashmë kanë kaluar gjashtë vite dhe askush s’di gjë për të.

Albano Xhaferri sapo ishte kthyer nga Belgjika por u zhduk më 18 qershor të vitit 2017. Babai i dy fëmijëve, jetonte me gruan dhe të vegjlit në katin e dytë të një pallati në Vlorë, por u mor me një mjet tip “Audi” dhe nuk u kthye më në shtëpi. Ai u vra me çekiç. Sipas Gazmend Merkajt, një person që është marrë në pyetje, shkaku i vrasjes ishte dijenia e Xhaferrit për atentatin ndaj Ferdinand Llanajt.

Pas tij u zhduk dhe Elvis Troqe. Më 17 korrik të vitit 2018 ai hipi në një automjet tip “Mercedes-Benz” në qytetin e Vlorës dhe prej atij momenti fati i tij nuk dihet. Edhe ai sapo ishtë kthyer nga Belgjika.

Lajme të tjera |  PD kërkon shkarkimin e Erion Veliajt si kryebashkiak i Tiranës: Ka 3 muaj që nuk paraqitet në detyrë

Fushë Kruja, një nga brinjët e trekëndëshit të Bermudës

Enver Stafuka doli për të shkuar në shtëpi, mbrëmjen e të dielës së 9 shkurtit të vitit 2015, aty ku nuk u kthye më kurrë. Stafuka ishte i dyshuar në vjedhjen e automjetit BMW, nga i cili u ekzekutua mbrëmjen e 25 shkurtit, kryekomisari Dritan Lamaj. Por, më 13 nëntor të vitit 2013, fitoi pafajësinë.

Tragjeditë e Shkodrës

Zhdukje misterioze konsiderohet ajo e Gëzim Hysajt dhe nipit të tij Agron Mollaj në Shkodër. Ata kanë dalë nga shtëpia që prej datë 23 gusht dhe nuk janë kthyer më. Njëra nga pistat e hetimit është vrasja e Sokol Hysenajt e ndodhur në vitin 1996, në të cilën dyshohet të jetë përfshirë Agron Mollaj (nipi). Ndërkohë familjarë të të zhdukurit Agron Mollaj mohojnë në mënyrë kategorike përfshirje e këtij të fundit në një ngjarje të tillë. Sipas tyre kjo ngjarje nuk ka ndodhur dhe nuk kanë pas asnjë konflikt në të kaluarën.

Jak (Jani) Prenga, historia Angli-Durrës

Jani Prenga u rrëmbye në zonën e Kamzës në Janar të vitit 2020, ndërkohë që edhe pse kanë kaluar gati 4 vite nga ky krim, trupi nuk është gjetur ende. Ndërkohë SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka akuzuar zyrtarisht Dritan (Gramoz) Rexhepin si porositës së rrëmbimit të 47-vjeçarit nga Kamza.

Përmes pamjeve filmike është provuar se Jan Prenga u vra në makinë, ndërkohë që trupi i tij u dërgua në resortin Golden në Shijak, në pronësi të vëllezërve Hajri. Gramoz (Dritan) Rexhepi, së bashku me Gentjan Funiqin, Martin Bletën dhe Korado Keshtejën, u akuzuan për rrëmbim apo mbajtje peng të personit.

Gramos (Dritan) Rexhepi kishte pasur konflikt me një nga vëllezërit e Jan Prengës për humbjen e një sasie kokaine në Britaninë e Madhe. Bëhet fjalë për rreth 260 kilogramë kokainë, për zhdukjen e të cilës bosi i kartelit “Bello” kishte vënë gishtin te Astrit Prenga. Rexhepi kishte kërkuar që sasia e drogës t’i kthehej mbrapsht, dhe për këtë kishte nisur negociatat me vëllain tjetër të familjes Ndrekë Prenga. Ky i fundit kishte arritur që të kthente një sasi prej 106 kilogramë drogë dhe 700 mijë euro disa shtetasve polakë që vepronin për llogari të Rexhepit.

Megjithëse i kishte dhënë fjalën Ndrekë Prengës, Rexhepi nuk iu kishte treguar atyre të vërtetën se i vëllai i tyre Jani kishte vdekur që në momentin e parë të rrëmbimit, pas dhunimit në makinë. Kur mësuan vdekjen e vëllait, Astrit dhe Ndrekë Prenga i kërkuan llogari Rexhepit, se pse marrëveshja që ata kishin bërë për lirimin kishte dështuar.

Rexhepi iu ka thënë vëllezërve të Jan Prengës, se autorët e rrëmbimit e kishin prerë në besë. Sipas përgjimeve, Rexhepi i ka thënë Ndrek Prengës emrat e pengmarrësve të të vellait, meqë nuk mundi ta mbante fjalen e dhënë per lirimin e tij.

Bëhet fjalë për fisin Hajri që vepron në zonën e Shijakut, si dhe Gentian Doçin, i cili u arrestua në Spanjë.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us