Pabarazia e kursimeve: Shqiptari i zakonshëm ka 3 mijë euro në bankë, i pasuri, 59 mijë

Në Shqipëri ka rreth 1.84 milionë depozita bankare aktive, por rreth 93% e tyre duket se i përkasin qytetarëve të zakonshëm dhe kanë në gjendje mesatarisht 312 mijë lekë ose 3100 euro me kursin aktual të këmbimit, ndërsa afro 7% e depozitave ose 126 mijë llogari kanë në gjendje mesatarisht 5.9 milionë lekë secila ose 59,000 euro.

Të dhënat e deklaruara në raportin vjetor të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, i cili është depozituar dhe publikuar nga Kuvendi i Shqipërisë, tregojnë se në 7 përqindëshin e depozitave të të pasurve gjenden 7.4 miliardë euro ose 58% e të gjitha depozitave të individëve në sistemin bankar, ndërsa në 93 për qind të depozitave të tjera gjenden 42% e kursimeve totale ose 5.34 miliardë euro.

Agjencia e Sigurimit të Depozitave është një agjenci publike e cila ka për detyrë që të mbledhë një kontribut periodik vjetor nga bankat për të garantuar që, në rast se ndonjëra prej tyre famimenton, ajo të paguajë depozitat e qytetarëve. Agjencia garanton në masën 100% depozitat deri në vlerën 2.5 milionë lekë, ndërsa depozitat mbi këtë vlerë garantohen në përqindje më të ulët.

Lajme të tjera |  Në prag të daljes nga burgu?! Salianji kërkon lirim me kusht: Raporti i sjelljes nga IEVP Fier pozitiv, ja kur merret vendimi

Për rrjedhojë, agjencia i mban llogaritë e depozitave të ndara në depozita deri në 2.5 milionë lekë dhe depozita mbi 2.5 milionë, për të llogaritur në këtë mënyrë totalin e depozitave të garantuara 100% dhe shumën mbi këto depozita të garantuara në përqindje më të ulët.

Incidentalisht, ndarja administrative siguron të dhëna statistikore për numrin e depozitave ku gjenden shuma parash mbi 2.5 milionë lekë dhe që supozohet se i përkasin të pasurve si dhe depozitave të tjera. Kjo nuk është më matje e saktë e pabarazisë mes të pasurve dhe të varfërve të vendit, por është goxha informuese për të parë se sa para gjenden në duart e të pasurve dhe sa, në duart e pjesës tjetër.

Lajme të tjera |  I nxehti afrikan po vjen drejt Shqipërisë, ja cilat pritet të jenë ditët më të nxehta të javës së fundit të Qershorit

Sipas të dhënave të vitit 2024, në Shqipëri kishte 1.84 milionë llogari bankare aktive me një total depozitash prej 127 miliardë lekësh ose afërsisht 13 miliardë euro. Numri i llogarive  bankare nuk është i barabartë me “individë” pasi një individ mund të ketë më shumë se një llogari bankare kështu që, me gjasa, numri i individëve me llogari mbi 2.5 milionë lekë është më i ulët se sa 126 mijë.

Shqipëria nuk ka sistem statistikor të konceptuar për të matur pabarazinë në aspektet e ndryshme të këtij fenomeni, nga pabarazia në të ardhura te pabarazia në asete apo në konsum. Të dhëna indirekte përfitohen nga informacione si ky i depozitave, dhe përfitohen në mënyrë incidentale. Sa i përket pronave, Shqipëria nuk prodhon statistika për të parë sa qytetarë posedojnë prona dhe cila është vlera e pronave të poseduara prej tyre dhe cila është shkalla e pabarazisë./BIRN

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us