Koalicioni Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore ka nisur të perkthejë në vepra fjalët e kryedemokratit Sali Berisha në lidhje me hapat që do të ndërmerren pas zgjedhjeve të përgjithshme. Ishte Berisha ai që paralajmëroi një padi kundrejt kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, dhe sot ka nisur procedura zyrtarisht.
Mirëpo, një nga aleatët nuk i është bashkuar, dhe jo pa arsye.
Akt-padia është firmosur nga vetë Berisha, Ilir Meta, Vangjel Dule dhe kryetarët e tre partive të vogla aleate, por kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu nuk ka firmosur.
Siç duket, mes ‘luftës për zgjedhjet’ dhe ruajtjes së marrëdhënies miqësore që ka me Celibashin, Mediu ka zgjedhur këtë të dytën. Dyshen e lidh një krushqi pasi Ilirjan Celibashi është kunati i Mediut, bashkëshort i motrës së tij Ardjana Mediu. Një tjetër lidhje është edhe fakti që mbesa e Mediut, Ejona Mediu, është krye-asistente e Celibashit në KQZ.
Çështja komplikohet më shumë nëse përmendim edhe familjarë të tjerë të Mediut që janë të punësuar në sektorët kyç të KQZ-së: tenderë, financa, kontrata dhe sistem elektronik.
Por si është ndarë kjo gjë mes Berishës dhe Mediut?
A e ka mirëkuptuar kryedemokrati zgjedhjen e kreut të Partisë Republikane?
Po Mediu ia ka ‘falur’ Berishës padinë për kunatin dhe mbesën?