Mediat greke kanë publikuar momentin kur një shqiptar, pjesë e grupit “Leone” ka qëlluar me armë zjarri mbi tre të rinj nga Kreta. Tre të rinjtë nga Kreta po hanin në një piceri në Athinë, pasi kishin gjithë natën që festonin në festën e beqarisë së një mikut të tyre, i cili pritet të martohet më 29 dhjetor.
Por, kur pranë picerisë kaloi një mjet tip “Jeep”, një nga të rinjtë grekë ka bërtitur, gjë që ka bërë që makina me ngjyrë të zezë të kthehej mbrapsht e të ndalonte.
Siç shihet dhe në videon e publikuar nga emisioni “Open”, nga makina zbritën dy të rinj dhe nisën të debatonin me grekët. Pas debateve, një nga shqiptarët ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar mbi tre grekët.
Dy vëllezërit nga Malia e Kretës, të moshës 29 dhe 34 vjeç, janë në gjendje të rëndë shëndetësore në Klinikën e Neurokirurgjisë të Spitalit “Gennimatas”, me dëmtime në kokë nga plumbat. Me plagë më të lehta po trajtohet edhe shoku i tyre 29-vjeçar.
Ndërsa autorët, sipas efektivëve të policisë greke, ka dyshime se janë anëtarë të bandës “Lion”, që dyshohet se ka gisht në ekzekutimin e Pëllumb Islamit nga Delvina, ngjarje e ndodhur në shkurt të këtij viti. Dyshimet janë se ata janë arratisur drejt Shqipërisë.