Sekretari i Shtetit Amerikan Antony Blinken u detyrua të ndërronte avionin për t’u kthyer në Uashington nga Davos pasi avioni i tij pësoi, një defekt. Raportohet se në avion pati rrjedhje oksigjeni. Blinken dhe stafi i tij hipën në avionin e modifikuar Boeing 737 në Zyrih të mërkurën pas një dite e gjysmë takimesh në samitin global në Davos. Avioni e pësoi problemin pasi Blinken me stafin kishin hipur, duke i detyruar të zbrisnin sërish poshtë.
Shefi i diplomacies amerikane pritet të udhëtojë me një avion privat për në SHBA. Kjo është goditja e fundit për reputacionin e Boeing, pasi më 5 janar, në një aeroplan të Alaska Airlines, dera u shkëput pas ngritjes. Fatmirësisht nuk u regjistruan viktima.
Por incidenti çoi në ndalimin e përkohshëm të fluturimit të të gjithë avionëve 737 Max 9, pasi linjat ajrore u urdhëruan t’i kontrollonin ata për ndonjë defekt të mundshëm. Ndërsa shkaku i atij aksidenti është ende nën hetim, CEO i Boeing, Dave Calhoun, ka pranuar një “gabim” të Boeing që çoi në incident.