Ndërsa bota katolike përgatitet për një Konklav të ri, mes ritualeve mijëravjeçare dhe parashikimeve nga çdo cep i globit, mediat kanë vendosur të këshillohen me inteligjencën artificiale. Një test kurioz, i realizuar me modelin ChatGPT-4o, është përpjekur t’i përgjigjet një pyetjeje që po qarkullon prej javësh në korridoret e Vatikanit: kush do të jetë Papa i ardhshëm?
Një Papë italian pas dekadash?
IA analizoi të dhëna historike, profilet e kardinalëve dhe dinamikat brenda Kolegjit Kardinalor dhe në fund dha një emër të saktë: Pietro Parolin. Aktualisht Sekretar i Shtetit në Vatikan, Parolin konsiderohet një profil “i sistemit”, që bashkon përvojën diplomatike me një ekuilibër ideologjik që mund të pajtojë shpirtërat e ndryshëm të Kishës. Pas tre Papëve jo italianë – Gjon Pali II, Benedikti XVI dhe Papa Françesku – ideja e një rikthimi te një Papë italian nuk duket edhe aq e largët.
Pse pikërisht Parolin?
Sipas ChatGPT, pika më e fortë e kardinalit është veprimtaria e tij e gjatë si “ministri i jashtëm” i Vatikanit. Gjatë viteve ka menaxhuar dosje komplekse, nga marrëdhëniet delikate me Kinën te krizat në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë. Gjithashtu, profili i tij konsiderohet i moderuar, në një moment kur Kisha është e ndarë mes kërkesave progresiste dhe nostalgjisë konservatore. Me pak fjalë, Parolin mund të jetë figura unifikuese që shumë kardinalë po kërkojnë.
Emra të tjerë në lojë
IA gjithsesi nuk u ndal vetëm te Parolin. Ajo përmendi edhe kardinalë të tjerë të mundshëm nga e gjithë bota. Ndër më të spikaturit janë Luis Antonio Tagle, filipinas, shpesh i quajtur “Bergoglio aziatik”, apo Matteo Zuppi, italian, i njohur për afërsinë me çështjet sociale. Nuk mungojnë as Peter Turkson nga Gana, Péter Erdő nga Hungaria, Jean-Marc Aveline nga Franca dhe Robert Sarah nga Guinea
Një parashikim që duhet marrë me rezervë
Natyrisht, edhe ChatGPT këshillon të jemi të kujdesshëm: historia e Konklavit është e mbushur me surpriza. Lojërat e pushtetit, aleancat e minutës së fundit dhe Shpirti i Shenjtë e bëjnë çdo parashikim të pasigurt. Megjithatë, fakti që edhe inteligjenca artificiale përfshihet në këtë lloj “bastesh” tregon shumë për mënyrën se si edhe feja, sot, vëzhgohet dhe tregohet përmes mjeteve teknologjike dhe dixhitale.