Një tërmet i fuqishëm ka lëkundur së fundi Greqinë, në gadishullin e Peloponezit. Sipas mediave lokale, tërmeti me fuqi 4.8, i shkallës Rihter është ndjerë në orën 07;20 të mëngjesit, në zonën detare midis Kranidit dhe Leonidios. Sipas të dhënave të Institutit Gjeodinamik, tërmeti është ndjerë edhe në gjithë luginën e Athinës, ndërsa ka pasur një thellësi prej 14.5 kilometrash.
“Bëhet fjalë për një zonë që nuk ka veprimtari të shpeshtë sizmike, megjithëse ka struktura të mëdha dhe thyerje, por do të shohim evoluimin e fenomenit”, ka deklaruar kreu i Organizmit të Planifikimit dhe Mbrojtjes nga Tërmeti Efthimios Lekkas, duke shtuar se, “ende nuk e dimë nëse ky është tërmeti kryesor, është herët, është e vështirë të thuhet ende”.
Gjithashtu, ai ka njoftuar se deri më tani nuk ka raportime për dëme në njerëz apo në ndërtesa, megjithëse grupet e emergjencave ndodhen në terren.
Specialistët e tjerë kanë vënë në dukje se në zonë ka pasur aktivitet parasizmik dhe se të dhënat e reja do të vlerësohen në orët në vijim, pasi ka mundësi që kjo strukturë të prodhojë edhe tërmete të tjera më të fuqishme.