Anëtarët e NATO-s duhet të përgatiten për një sulm të mundshëm nga Rusia brenda katër viteve të ardhshme. Kështu tha gjenerali Carsten Breuer, kreu i forcave të armatosura gjermane. Në deklaratat për BBC-në, ai tha, ndër të tjera, se Rusia prodhon 1,500 tanke çdo vit, shumë prej të cilave mund të përdoren për një sulm ndaj anëtarëve të NATO-s në vendet baltike deri në vitin 2029 por edhe shumë më herët.
Ai e përshkroi kërcënimin nga Rusia si “shumë serioz”, duke shtuar se diçka e tillë nuk ai nuk e kishte parë kurrë më parë në 40 vitet e tij të shërbimit. Kjo sepse sipas Nenit 5 të Kartës së NATO-s, çdo sulm ndaj një shteti anëtar do të thotë që anëtarët e tjerë do të duhet të vijnë në mbrojtje të tij.
“Rusia po i ndërton forcat e saj. Jo çdo tank shkon në luftën në Ukrainë, por shkon në rezerva dhe struktura të reja ushtarake që gjithmonë përballen me Perëndimin,”- tha ai. Sipas tij, Rusia gjithashtu prodhoi 4 milionë predha artilerie 152 mm në vitin 2024, jo të gjitha prej të cilave kanë përfunduar në Ukrainë.
“Prandaj, ekziston një qëllim dhe një grumbullim rezervash për një sulm të mundshëm në të ardhmen kundër shteteve anëtare të NATO-s në Baltik. Pra, ne duhet të jemi gati deri në vitin 2029… Nëse më pyetni tani, a ka garanci se sulmi nuk nis më herët? Do të thoja jo. Pra, ne duhet të jemi në gjendje të luftojmë sonte,”- tha Breuer.
Ai më në fund këmbënguli që NATO të mbetet e bashkuar në lidhje me luftën në Ukrainë, pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme të shprehura së fundmi nga Hungaria dhe Sllovakia.