Parlamenti Europian miraton raportin për Shqipërinë: Zgjedhje konkurruese, por të polarizuara. Kujdes ndërhyrjeve nga Kremlini

Komisioni i Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian ka miratuar me 57 vota pro, 11 kundër dhe 6 abstenime raportin për Shqipërinë, i përgatitur nga Andreas Schieder.

Raportuesi austriak nënvizoi se Shqipëria është tashmë një shtet pararojë me reformat integruese me objektiv anëtarësimin e vendit në familjen evropiane brenda vitit 2030, megjithatë ende nuk është arritur vija e finishit.

Në raport bëhet thirrje për miratimin e reformave të rëndësishme, ndalimin e ndërhyrjeve të huaja – si ajo ruse – për frenimin e procesit të anëtarësimit të vendit në BE, si dhe për më shumë dialog politike. Sa i përket zgjedhjeve, përmendet fakti se ato ishin konkurruese, por të zhvilluara në një mjedis të thellësisht të polarizuar, me shqetësime për përdorimin e burimeve administrative.

Nevojë urgjente për thellimin e reformave

Duke përshëndetur synimin e Shqipërisë për të përmbyllur bisedimet e anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe progresin e arritur deri tani, eurodeputetët theksojnë nevojën urgjente për të intensifikuar reformat. Prioritetet kryesore përfshijnë forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbrojtjen e të drejtave themelore. Forcimi i pluralizmit mediatik dhe transparencës mbetet thelbësor për të ndërtuar besimin e publikut.

Lajme të tjera |  Deputeti i ri i PS-së: 4 mandatet e Ramës nuk janë anomali, edhe Merkel ka qenë 4 mandate

Dialog politik dhe lufta kundër ndërhyrjeve të jashtme

Raporti vëren se polarizimi politik vazhdon të jetë i theksuar dhe i shoqëruar me retorikë përçarëse, duke bërë thirrje për dialog politik më konstruktiv dhe gjithëpërfshirës. Eurodeputetët shprehin shqetësim serioz për ndikimin e huaj keqdashës, veçanërisht nga burime të lidhura me Kremlinin, që kërcënojnë institucionet demokratike të Shqipërisë dhe përpjekjet për anëtarësim në BE. Ata bëjnë thirrje për rritjen e qëndrueshmërisë institucionale ndaj abuzimeve me financimin politik, manipulimeve mediatike dhe kërcënimeve kibernetike.

Mbështetje përmes iniciativave të BE-së

Eurodeputetët përshëndesin instrumentin e ri të Reformës dhe Rritjes prej 922 milionë eurosh të dedikuar për Ballkanin Perëndimor, i cili do të mbështesë Agjendën e Reformës të Shqipërisë sapo të përmbushen kushtet. Hapja e zyrës së Parlamentit Evropian në Tiranë shihet si një hap thelbësor për të forcuar lidhjet mes BE-së, institucioneve vendore dhe partnerëve të shoqërisë civile në të gjithë rajonin.

Procesi zgjedhor dhe reformat në drejtësi

Raporti analizon zgjedhjet parlamentare të majit 2025, duke i përshkruar ato si konkurruese, por të zhvilluara në një mjedis të thellësisht të polarizuar, me shqetësime për përdorimin e burimeve administrative. Eurodeputetët u bëjnë thirrje partive politike shqiptare të angazhohen për reforma të plota zgjedhore, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.

Lajme të tjera |  “Je paguar nga inceneratorët e Spitali Amerikan”…”Mashtrues, mashtrues, ti gënjen” – Plas keq mes Këlliçit e Haxhiut

Përparimi i bërë në reformat gjyqësore dhe hetimet për korrupsionin në nivele të larta vlerësohen pozitivisht, megjithëse ndërhyrja politike mbetet një sfidë. Eurodeputetët bëjnë thirrje për përpjekje të vazhdueshme për të mbrojtur pavarësinë e gjyqësorit dhe për të rritur llogaridhënien.

Raportuesi Andreas Schieder (S&D, Austri) tha:

“Shqipëria me të drejtë mund të quhet një ‘kandidate pararendëse’ për anëtarësimin në BE. Kjo edhe falë mbështetjes së gjerë nga populli shqiptar. Por ende nuk jemi në vijën e finishit. Është thelbësore të vazhdohet në këtë rrugë me të njëjtin ritëm dhe përkushtim, duke luftuar korrupsionin dhe forcuar shtetin e së drejtës. Duhet një fokus i qartë në zgjerimin e modelit ekonomik, krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e modelit të mirëqenies sociale, si dhe në një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe të plotë”.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us