Pas shtatë muajsh seanca, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kaluar për gjykim dosjen e ish-kompleksit sportiv Partizani. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi dhe gjashtë të tjerët do të kalojnë në gjykim themeli. Të akuzuar në lidhje me dosjen janë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe financierja e kompanisë ‘Homeplan’, Andia Pustina. Vendimi u mor nga gjyqtarja e posaçme Flojera Davidhi.
Të pandehurit e dosjes “Partizani” dhe akuzat:
-Sali Berisha, ish kryeministër – akuzohet për “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.
-Jamarbër Malltezi – dhëndri i ish-kryeministrit – akuzohet për “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim dhe për “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
-Fatmir Bektashi – Ndërtuesi akuzohet “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë” dhe “Pastrim parash”
-Xhimi Begeja – Trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i “Homeplan” akuzohet për “Pastrim Parash”
-Andia Pustina – Financierja që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të “Homeplan sh.p.k” – akuzohet për “Pastrim Parash”
Ndërkohë gjatë seancës së zhvilluar me dyer të mbyllura avokati i kryedemokratit Sali Berisha, Genc Gjokutaj kërkoi pavlefshmëri të vendimeve që ka dhënë gjyqtarja Irena Gjoka. Sipas mbrojtjes, gjyqtarja ka qenë e dënuar dhe vendimet e saj janë të pavlefshme. Por, gjykata e rrëzoi këtë kërkesë.
Në një prononcim për mediat pas përfundimit të seancës, Gjokutaj e konsideroi këtë vendim si të diktuar nga kryeministri Edi Rama dhe tha se bashkë me Berishën do të gjejnë një alternativë tjetër për t’i bërë ballë çështjes, që e konsideroi paligjshmëri.
Genc Gjokutaj: Gjyqtarja vendosi ta kalojë për gjykim. Kjo gjyqtare ne të njëjtat kushte në rastin Dako e ka thyer për plotësim hetimi pa kërkesë të palës, ndërsa në rastin konkret e kaloi për gjykim. Kjo paligjshmëri po mban Malltezin prej 2 vitesh në arrest shtëpiak dhe Berishën. Rama nëpërmjet agjencisë së tij, GJKKO e realizoi për ta çuar këtë çështje në gjyq.
Sot kreu i PD, Sali Berisha ka lëshuar sërish akuza të rënda ndaj kryetares së Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), Irena Gjoka, pas paraqitjes së tij tek prokurorët e SPAK në kuadër të masës “detyrim paraqitje”. Berisha shtoi se ajo duhet të jetë subjekt i ligjit dhe e akuzoi se ka mashtruar institucionet shqiptare në disa raste
Sali Berisha: Kryetarja e GJKKO, Irena Gjoka është një mashtruese ordinere e pacipë, subjekt i ligjit. Ajo i ka thënë motrës së Belinda Ballukut në formular, se nuk është dënuar. Më 2003, kjo gjyqtarja ka firmosur tek noteri, ka firmosur prokurë, duke u paraqitur si bashkëshortja e një shtetasi, ndërsa certifikata e martesës është tre vite më pas. Ajo ka gënjyer shtetin shqiptar për dëbimin nga Greqia. Ka marrë prokurë për të hequr masat. Gjoka është dënuar me burg në Janinë.
Hetimet për dosjen Partizani kanë nisur në vitin 2020, dhe në aktakuzën e SPAK, dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai e akuzojnë ish-kryeministrin Berisha për veprën penale të “korrupsionit pasiv” të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Sipas SPAK, Berisha ka ndryshuar ligje, dhe ka ushtruar presion mbi vartësit e tij, në mënyrë që ish-kompleksi Partizani t’iu kthehej pronarëve, në mesin e të cilëve do të përfitonte dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.
Aktualisht Berisha është në liri, por me masën “detyrim paraqitje”, 2 herë në javë. Ndryshe nga Sali Berisha, dhëndri i tij ndodhet nën masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’.