Partizani deri më tani ka arritur të zyrtarizojë vetëm Xhuliano Skukën, ndërkohë nga krahu tjetër ka patur disa largime. Drejtuesit po punojnë shumë që të mund të plotësojnë ekipin për pjesëmarrjen e tyre në Conference League.
Një nga repartet kur kërkohet doemos ndërhyrje është mesfusha. Për këtë në radarin e tyre ka rënë një emër mjaft me eksperiencë dhe bëhet fjalë për Arbnor Ramadanin, me të cilin kanë nisur bisedimet.
Mesfushori mbylli aventurën e tij me Llapin në Kosovë dhe tashmë është një futbollist i lirë. Në karrierën e tij futbollistike, 31-vjeçari përveç Llapit ka luajtur edhe me Dritën dhe Gjilanin, ndërsa shpesh herë ka qenë mjaft i kërkuar edhe nga skuadrat nga Shqipëria si Dinamo, Tirana dhe Flamurtari.
Ndërkohë aktualisht për të ka interes edhe Shkëndija e Tetovës. Partizani shpreson të fitojë këtë “garë” me kuqezinjtë dhe ta transferojë Ramadanin në Tiranë.