Pas 23 vitesh, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka rrëzuar shpresat e ish-gjyqtares së Pogradecit Majlinda Salillari (Mançellari) për t’u rikthyer në sistemin e drejtësisë. Ajo kishte ankimuar në KPA, një vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në vitin 2001, që e kishte shkarkuar nga detyra, për një vendimmarrje të dyshimtë. Ish-gjyqtarja ishte vënë nën hetim nga ish prokurorit i përgjithshëm Arben Rakipi për një vendimmarrje të dyshimtë në dosjen e njohur si ‘Martinelli”, trafikant italian makinash në rajon. Më herët gjyqtarja e kishte çuar vendimin dhe në Gjykatën e Lartë, e cila pasi shpalli moskompetencën, ia kaloi çështjen për shqyrtim Kolegjit të Posaçën të Apelimit.
Njoftimi i Kolegjit të Apelimit:
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i përbërë nga Sokol Çomo kryetar, Albana Shtylla, Ina Rama, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JD) nr. 2/2023, datë 30.03.2023, që i përket ankueses Majlinda Salillari (Mançellari) kundër vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nr. 117, datë 17.09.2001, me subjekt të interesuar, Këshillin e Lartë Gjyqësor.
Në përfundim të gjykimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronja “f” dhe 134, pika 1, shkronja “i” e Kushtetutës, si dhe neneve 71 dhe 72 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, në mënyrë unanime, vendosi:
Mospranimin e ankimit të ankueses Majlinda Salillari (Mançellari), kundër vendimit nr. 117, datë 17.09.2001, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Marrë më 15.12.2023
Shpallur më 15.01.2024