Jamarbër Malltezi ka shkuar sot për t’u marrë në pyetje nga hetuesit në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në një prononcim të shkurtër për mediat para se të futej në ambientet e SPAK, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha lëshoi akuza në drejtim të kryeministrit Rama dhe institucioneve të drejtësisë. Duke ngulur këmbë edhe njëherë se nuk ka bërë asnjë shkelje lidhur me çështjen e privatizimit të kompleksit ‘Partizani’.
“Në këtë çështje edhe vetë SPAK e pranon se nuk ka dëm. Sa është dëmi, 0. Përkundrazi shteti ka përfituar 800 mijë dollarë. Taulant Balla ka bërë kallëzim të rremë, ka rezultuar se Edi Rama ka bërë dëm. E kanë administruar si dëm. Këto larot i lëpihen Edi Ramës. Po ua jap dokumentin,”-tha Malltezi.
DEKLARATA E PLOTË E JAMARBËR MALLTEZIT, PARA SPAK:
E para, toka ishte e pronarëve fisnikë themelues të familjeve të Tiranës. Dy, kjo tokë nuk ishte e shpronësuar, kjo ishte e këtyre familjeve dhe mbi 100 familjeve trashëgimtare të 5 familjeve të origjinës. Tre, klubi Partizani nuk iu kthye Jamarbër Malltezit, iu kthye 100 familjeve, është krejt ndryshe nga ato që bën Edi Rama me katër VKM që ia jep një personi. Pra, asnjë qeverisje nuk ia ka dhënë Jamarbër Malltezit apo një personi, por ia ka dhënë 100 familjeve pronare. E katërta, në këtë çështje, edhe vetë SPAK-u e pranon se nuk ka dëm. Pra, po bëjnë hetime kur nuk ka dëm. Po arrestojnë dhe burgosin njerëz me shfaqje kur nuk ka dëm.
Sa është dëmi? Zero! Përkundrazi shteti ka përfituar 800 mijë dollarë nga privatizimi i objekteve të rrënuara. Nga ana tjetër, çfarë ka rezultuar? Ka rezultuar se Taulant Balla ka bërë kallëzim të rremë, vepër penale e dënueshme sipas nenit 315 të Kodit Penal. Por Taulant Balla qenka mbi ligjin. SPAK-u bëhet SNUK. E pesta, Edi Rama ka bërë shkelje, ka bërë dëm. Shpërdorim detyre me dëm mbi 330 mijë euro. E kam administruar së fundmi se e kishin fshehur. Vetëm këto dy muajt e fundit e kanë administruar si provë, por nuk ndihen. Pse? Se është Edi Rama! Sepse është dëm që vjen nga Edi Rama dhe Edi Rama është mbi ligjin. Këto i lëpihen, këta janë larot e Edi Ramës.
Malltezi u vu në pranga në datën 21 Tetor, dhe pas afro një muaji tashmë do të vijojë betejën e tij ligjore nga masa e arrestit të shtëpisë. Ai akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, për privatizimin e ish-kompleksit Partizani, në truallin e të cilit dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha ka ndërtuar 17 pallate. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Malltezi ka përfituar nga Berisha, asokohe kryeministër që të merrte pronën e ish-familjarëve të tij, dhe për ta kthyer atë në një kompleks banimi. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Malltezi kishte fituar më shumë se 5 milionë euro nga investimi në këtë truall.